Shendet

Vdekjet nga kanceri i gjirit pritet të rriten me 68% në mbarë botën deri në vitin 2050

Diagnozat dhe vdekjet e kancerit të gjirit pritet të rriten në mbarë botën në dekadat e ardhshme, me disa nga incidencat më të larta në Europën Veriore, kanë paralajmëruar studiuesit globalë të kancerit.

Në vitin 2022, 2.3 milionë gra në mbarë botën u diagnostikuan me kancer gjiri dhe 670,000 vdiqën.

Një në 20 gra do të diagnostikohet gjatë jetës së saj, duke e bërë kështu kancerin e gjirit formën më të zakonshme të kancerit për gratë.

Deri në vitin 2050, vdekjet globale nga kanceri i gjirit pritet të rriten me 68 për qind, ndërsa rastet e reja do të rriten me 38 për qind, sipas parashikimeve të reja nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkimin e Kancerit (IARC) të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Kjo do të arrinte në 3.2 milionë raste të reja dhe 1.1 milionë vdekje në vit.

“Çdo minutë, katër gra diagnostikohen me kancer gjiri në mbarë botën dhe një grua vdes nga kjo sëmundje, dhe këto statistika po përkeqësohen”, tha në një deklaratë Dr Joanne Kim, shkencëtare e IARC dhe një nga autoret e studimit.

Vendet në zhvillim do të ngarkohen në mënyrë disproporcionale, paralajmëroi agjencia.

Megjithatë, ndërsa nivelet e vdekjeve kanë rënë në vitet e fundit në Kubë dhe 29 vende të pasura, vetëm shtatë vende po përmbushin synimet globale të shëndetit për të frenuar vdekjet me të paktën 2.5 për qind çdo vit, thuhet në raport.

Kjo përfshin Maltën, Danimarkën, Belgjikën, Zvicrën, Lituaninë, Holandën dhe Slloveninë. Një pjesë e vogël e të tjerëve janë afër: Norvegjia, Suedia, Irlanda, Australia, Mbretëria e Bashkuar dhe Zelanda e Re.

Nëse të gjitha vendet do të përmbushnin objektivin e reduktimit prej 2.5 për qind, numri i vdekjeve nga kanceri i gjirit do të përgjysmohej deri në vitin 2050, sipas studimit, i cili u botua në revistën Nature Medicine.

Veçanërisht, normat e përgjithshme të incidencës së kancerit të gjirit ishin më të lartat në Australi dhe Zelandën e Re, e ndjekur nga Amerika Veriore dhe Evropa Veriore, potencialisht për shkak të faktorëve të rrezikut si konsumimi i alkoolit dhe nivelet më të ulëta të stërvitjes.

Në Evropë, rreziku gjatë gjithë jetës për t’u diagnostikuar me kancer gjiri varion nga 4.9 për qind në Ukrainë në 11.1 për qind në Francë.

Rreziku i vdekjes nga sëmundja varion nga 1.1 për qind në Norvegji dhe Spanjë deri në 2.6 për qind në Mal të Zi.

Në vendet e pasura, 17 për qind e grave që diagnostikohen me kancer gjiri përfundimisht vdesin nga kjo sëmundje. Në vendet në zhvillim, është 56 për qind.

Shumica e rasteve të kancerit të gjirit zbulohen në moshën e mesme ose më vonë. Por në Afrikë, 47 për qind e rasteve ndodhën tek gratë nën 50 vjeç, krahasuar me 18 për qind në Amerikën e Veriut, 19 për qind në Evropë dhe 22 për qind në Oqeani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë