Shendet

Alarmi / QSUT: Po rriten rastet e vajzave dhe grave të intoksikuara. Tahiri: Shkak, kokteilet e alkoolit me drogë

Nga Gazeta Si – Në pavionin e toksikologjisë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë, ka rritje të rasteve të të rinjve që shkojnë në gjendje të intoksikuar, deri në rrezik jete.

Shefi i pavionit të Toksikologjisë, Andrin Tahiri në një prononcim për Gazetasi.al, thotë se vitet e fundit, konstatohet rritje e rasteve dhe tek gratë që abuzojnë me alkoolin.

“Në rastet e paraqitura, vihet në dukje rritja e numrit të gratë që paraqiten në gjendje të keqe, me dhimbje koke, të vjella. Shumica e rasteve janë intoksikime nga kokteilet e alkoolit të përzier me droga në pub”, thotë Tahiri.

Sipas tij, mosha më e prekur nga intoksikimi janë 25-35 vjeç, ata që frekuentojnë më së shumti dhe jetën e natës.

Shefi i pavionit të Toksikologjisë thotë se kur i pyesin të rinjtë që paraqiten në spital, disa prej tyre thonë se nuk janë konsumues të rregullt të alkoolit, por vendimmarrjen e marrin prej presionit të shoqërisë, në festat kolektive, aty për aty, duke shpërfillur dëmet e momentit nga abuzimi me alkoolin dhe drogat.

Festa të shfrenuara me alkool e drogë, trendi i ri vilat me qira

Tashmë në Shqipëri, festat e të rinjve nuk janë më lokalet e natës, pub-et, por shtëpitë me qira, vilat në periferi apo zona bregdetare, ku me kontribute të përbashkëta realizohet një ‘party’ larg syrit të familjarëve dhe larg zhurmës së qytetit.

Trendi më i ri, festa me alkool e drogë, është shkaku i rritjes së numrit të të rinjve që intoksikohen më së shumti.

Mjekët e pavionit të Toksikologjisë, thonë se një nga përgjegjësit në këtë situatë të krijuar vitet e fundit janë dhe prindërit, të cilët lejojnë fëmijët e tyre të marrin pjesë në këto festa të shfrenuara dhe pa kontroll.

“Më së shumti vijnë në grupe, të rinj e të reja që pasi kanë festuar gjithë natën, paraqiten në gjendje të keqe, të rënduar duke rrezikuar deri dhe jetën”, thonë burimet për Gazetasi.al.

Vilat në zonat bregdetare janë më shumë të preferuara ku një natë kushton deri në 500 euro dhe për një grup të rinjsh e të reja 15-20 veta, kjo është e realizueshme.

“Rastet që paraqiten në spital janë dhe konsumues të alkoolit në lokalet e natës, por sidomos këtë periudhë, shumë të rinj tregojnë se kanë festuar jashtë Tiranës, në zona periferike, në shtëpi të marra me qira ku kanë sjellë me vete dhe pijet dhe lëndët narkotike”, thonë burimet.

Raporti i OBSH alarmant

Në Bashkimin Evropian, konsumi i alkoolit për frymë midis të rriturve (15+ vjeç) në vitin 2019 ishte dyfishi i mesatares botërore.

Sipas OBSH, 1 në 19 të rritur vdesin nga shkaqe që i atribuohen alkoolit dhe tre në çdo 10 vdekje që i atribuohen alkoolit.

OBSH thotë se konsumimi i alkoolit është një faktor shkaktar në më shumë se 200 sëmundje.

Sipas OBSH, BE është zona me konsumin më të madh në botë. Në vitin  2019, 7 nga 10 vendet me konsum më të lartë të alkoolit për frymë ishin në Bashkimin Evropian.

Kjo përkthehet në dëm të lartë që i atribuohet alkoolit: në vitin 2019 mesatarja e alkoolit total për frymë në mesin e të rriturve (15+) në 27 Shtetet Anëtare të BE-së (BE-27)) ishte 11.0 litra alkool të pastër, dyfishi i mesatares botërore, me çdo vdekje të 19-vjeçarve dhe pothuajse çdo e katërta vdekje në mesin e 20-40-vjeçarëve që i atribuohet alkoolit.

OBSH thotë se, nga këndvështrimi i shëndetit publik, paralajmërimet shëndetësore mund të rrisin ndërgjegjësimin për rreziqet që i atribuohen alkoolit dhe të kontribuojnë në një reduktim të përgjithshëm të dëmit që i atribuohet alkoolit përmes një morie funksionesh që shkojnë përtej ndryshimit të sjelljes individuale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë