Nga Gazeta ‘SI’ – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka kërkuar Kuvendit të mos miratojë dy projektligje në shqyrtim, në zbatim të Kodit Zgjedhor.
Konkretisht, kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, i ka kërkuar Kuvendit mosmiratimin apo shtyrjen e draftit për “Paketën e Maleve” dhe ndryshimet e propozuara nga deputeti Erion Braçe në ligjin e tatimeve për heqjen e TVSH-së në bujqësi.
Celibashi tha se miratimi i këtyre projektligjeve mund të krijojë perceptimin e përdorimit të tyre për qëllime elektorale. Ai shtoi se duhet shmangur çdo ndikim në elektorat përmes ndryshimeve në politikat fiskale në periudhën e zgjedhjeve.
Sot në seancën publike konstatova se miratimi i dy projektligjeve, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 92, datë 24.07.2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’” dhe projektligjit “Për paketën e maleve”, nuk respekton kërkesat e nenit 91, pika 4, të Kodit Zgjedhor.
Ky vendim bazohet në parimin e neutralitetit të institucioneve shtetërore gjatë periudhave zgjedhore, me synimin për të shmangur çdo ndikim të mundshëm mbi elektoratin përmes ndryshimeve në politikat fiskale apo ekonomike.
Në këtë kontekst, miratimi i këtyre projektligjeve, të cilat prekin politika të rëndësishme fiskale, mund të krijojë perceptimin e përdorimit të mjeteve ligjore për qëllime elektorale. Për këtë arsye, i kërkoj Kuvendit të Shqipërisë të mos i shqyrtojë këto dy projektligje në seancë plenare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.