Nga Gazeta ‘Si’– Protesta e thirrur nga opozita të shtunën e 8 shkurtit ka vënë në gatishmëri Policinë e Shtetit.
Sipas burimeve për mediat, organizatorët e tubimit kanë kërkuar leje për 3 orë që do të protestojnë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para godinës së kryeministrisë.
Në shkresën dërguar Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë është njoftuar se tubimi do të nisë në orën 17:00 deri në orën 20:00.
Për të garantuar rendin dhe sigurinë, në terren do të jenë rreth 1 200 efektivë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH dhe Shqiponjat. Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA.
Po ashtu, edhe Garda e Republikës do të jetë në gatishmëri për të kryer detyrën në ruajtjen e institucioneve.
Ndërkohë, në protestë të gjithë efektivët do të jenë të pajisur me maska kundërgaz. Do të ketë edhe 5 autobotë me ujë nëse do të ketë nevojë në raste incidentesh. Ndërsa përgjatë bulevardit do të vendosen kamera me rezolucion të lartë.
Si në çdo protestë do të krijohet kordoni me efektivë policie para Kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj. Në terren do të përfshihen edhe agjentët civilë, për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës.
Detyrat e lëna nga drejtuesit e policisë për vartësit e tyre janë që të mos provokohen nga protestuesit, si dhe të mbahen nën vëzhgim ata persona që në protestat e mëparshme kanë kryer akte dhune.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




