Politike

Protesta/ Berisha fton t’i bashkohen partitë ‘që ndjehen opozitare’: Një kryeministër që pi një shishe vere 33 mijë euro duhet nxjerrë me lecka

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ftoi të gjitha partitë opozitare t’i bashkohen në protestën kombëtare që do të zhvillohet të shtunën në Tiranë.

“Nuk ka rrugë tjetër përveç bashkimit për t’u përballë me këtë të keqe që kemi përpara. Variantet e tjera pjesëtojnë fuqinë e opozitës”, tha Berisha gjatë një takimi me Federatën e Bashkuar.

Ai tha se pavarësisht se ka forca politike opozitare që kanë vërejtje për PD-në, duhet të bëhen bashkë pasi sipas tij, “problemi është se nuk ka rrugë tjetër përveç bashkimit për t’u përballur me këtë të keqe që kemi përpara.”

Ai e përshkroi situatën si një mundësi të vetme për të sjellë drejtësi dhe për të rikthyer demokracinë në vend.

“Ky takim dhe kjo mbledhje është shumë e rëndësishme për konsolidimin e mëtejshëm të frontit opozitar kundër kësaj të keqe të pakrahasueshme me ndonjë të keqe tjetër që nga diktatura hoxhiste gjer sot.

Bashkimi i të gjithë potencialeve opozitare kundër Edi Ramës, kundër Rilindjes që është sot sinonim i krimit, sinonim i një regjimi që në fjalorin politik të të gjitha kohërave, ka një term: regjimit të kakistokracisë që përmbledh të gjitha të këqijat që mund t’i bëjë një pushtet një vendi.

Dhe në fakt, një pushtet që përzë nga vatrat e tyre 40-45 përqind të popullit në 10 vite, është më i keqi që ky popull ka njohur në historinë e tij. Koha është për një front sa më të gjerë opozitar”, deklaroi ai.

Gjithashtu ai kritikoi ashpër qeverisjen e Edi Ramës, duke e akuzuar atë për abuzime të mëdha me pasuritë publike dhe shkelje flagrante të të drejtave të njeriut.

 Berisha theksoi sipas tij se Rama po jeton në luks të papërshkrueshëm, ndërkohë që pensionistët jetojnë në varfëri të thellë. 

“Po një kryeministër që ulet me shishe vere 33 mijë euro në kryeministri e meriton për t’u nxjerrë me lecka. Pra që vë shishen sa 200 pensione për t’u shijuar, në një kohë kur pensionisti që merr 160 euro, ka që marrin shumë më pak shumica, i duhet të paguajë në ndërtesën sociale 62 euro qira.

Vetëm qiraja e shtëpisë 62 euro, plus faturat e tjera, plus ilaçet, nuk i ngelet për kafshatën. Po ata që janë me 160 euro pension janë pakica e pensionistëve, shumica e tyre nuk kanë pension të plotë, kanë pension të pjesshëm. Vetëm me shpenzimet abuzive të tmerrshme të Edi Ramës dhe qeveritarëve, mund të rriteshin në vit 15-20 përqind të gjitha pensionet”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë