Drejtësia

Vrasja e Ramazan Matajt në Shkodër, Apeli lë në burg dy vëllezërit Hasaj

Gazeta Si – Gjykata e Apelit ka lënë në burg dy vëllezërit Arjon dhe Klisman Hasaj , të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen se vranë 33-vjeçarin Ramzan Mataj në Dragoç të Shkodrës për nderin e së motrës, ngjarje e ndodhur në 5 janar.

“Arjon Hasaj i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Klisman Hasaj, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, thuhet në vendimin e Apelit.

Më herët, Arjon Hasaj ka pranuar vrasjen para grupit hetimor, duke thënë se 33-vjeçarin Mataj e vrau për shkak se sipas tij, i kishte shkatërruar 2 martesa motrës së tij.

Ramazan Mataj u gjet i vrarë në automjetin e tij “Mercedes-Benz” mëngjesin e 5 janarit. Në makinë, policia i gjeti viktimës dy celularë, njëri prej të cilëve pa kartë, ku hetuesit gjetën mesazhe që vëllezërit Hasaj i kishin dërguar atij për ta nxjerrë në pritë.

Arjon Hasaj, baba i 4 fëmijëve, në dëshminë e dhënë ka pretenduar se Ramazan Mataj i ka prishur dy martesa motrës së tij, si edhe i ka shpërndarë video të tyre intime tek bashkëshorti i dytë, si edhe në fshat.

I arrestuar si bashkëpunëtor i ngjarjes së rëndë është edhe i vëllai Klisman Hasaj, i cili dyshohet se siguroi kushteve për të kryer vrasjen dhe fshehjen e armës së krimit, akuza të cilat 20-vjeçari i ka mohuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë