Ngjarje

Mbërrin në Tiranë trupi i pajetë i kryepeshkopit Anastas Janullatos, pritet nga qindra besimtarë. Nisin homazhet (foto, video)

Nga Gazeta ‘Si’- Arkivoli i kryepeshkopit Anastas u vendos në Katedralen ‘Ngjallja e Krishtit’ në Tiranë për homazhe publike.

Kortezhi me priftërinj shoqëroi arkivolin, ndërsa të shumtë ishin besimtarët që kishin dalë në rrugë për t’i dhënë lamtumirën, ndërsa kambanat e vajit vijuan të binin gjatë gjithë kortezhit.

Qindra besimtarë e pritën Kryepeshkopin me lule dhe gjethe dafine.

Pas një udhëtimi më shumë se 20 orësh përmes Greqisë, trupi i Kryepeshkopit Anastas hyri në tokën shqiptare rreth orës 09:00.

Ashtu siç ishte paralajmëruar që në pikën kufitare të Kakavijës u zhvillua një ceremoni nderimi nga autoritetet greke, ndërsa në Shqipërisë qindra besimtarë, një pjesë e madhe fëmijë e prisnin me degë dafina në duar, si një simbol që sjell paqe dhe aromë mirësie.

Pas një ceremonie të shkurtër në Kakavijë, kortezhi që shoqëron trupin e Kryepeshkopit Anastas u nis drejt Gjirokastrës, ku u zhvillua një meshë përshpirtjeje në oborrin e katedrales së qytetit.

Në ceremoninë mortore paraditen e së enjtes priten në kryeqytetin shqiptar të vijnë figurat më të larta të klerit në botë, dhe jo vetëm ato të Kishës Ortodokse. Nga Vatikani pritet një delegacion i gjerë i drejtuar nga Sekretari i Shtetit, Pietro Parolin. Konfirmohet pjesëmarrja e Kryeministrit grek, Mitsotakis me një delegacion të gjerë nga Athina, përfshirë 5 ministra të kabinetit të tij qeveritar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë