Nga Gazeta “SI”– Néle Azevedo, një artiste braziliane e njohur për instalacionet prekëse publike e cila përdor veprat e saj për të tërhequr vëmendjen ndaj çështjeve të rëndësishme sociale dhe mjedisore. Një nga projektet e saj më të fuqishme i titulluar “Minimum Monument”, përfshin qindra figura të vogla prej akulli, të cilat vendosen me kujdes në hapësira publike. Këto instalacione, janë një koment prekës dhe poetik mbi krizën klimatike.
Figurat prej akulli të Azevedo-s, të krijuara me kujdes dhe të destinuara të jenë të përkohshme, simbolizojnë brishtësinë dhe përkohshmërinë e jetës përballë ngrohjes globale. Teksa shkrihen, këto figura pasqyrojnë pasojat reale të rritjes së temperaturave, shkrirjen e akullnajave polare, rritjen e nivelit të detit dhe humbjen e habitateve natyrore.
“Historia e të mposhturve dhe përkohësia njerëzore”
I ekspozuar për herë të parë në São Paulo në vitin 2005, instalacioni, të cilin Azevedo e përshkruan si një “aksion urban artistik,” është shfaqur në qytete si Parisi, Belfasti, Lima dhe Porto. Në secilën përsëritje, artistja gdhend qindra figura prej akulli, të larta rreth 20 centimetra, të ulura me këmbët e kryqëzuara dhe i vendos në shkallë të hapura dhe hapësira publike. Skulpturat pa fytyrë shkrihen dhe shndërrohen në pellgje të vogla me kalimin e kohës, duke pasqyruar fillimisht përpjekjen e Azevedo për të kritikuar monumentet tradicionale dhe për të marrë parasysh “historinë e të mposhturve, të anonimeve, për të sjellë në dritë gjendjen tonë të vdekshme.”
Përkohshmëria e akullit që përdoret kontraston drejtpërdrejt me natyrën e qëndrueshme të bronzit, gurit dhe materialeve të tjera zakonisht të përdorura për statuja dhe vepra përkujtimore.
Pasardhësi i instalacionit “Minimum Monument”, i quajtur “Suspended State”, ndjek një qasje të ngjashme, por me elementë të rinj simbolikë dhe ndjesorë. Ky instalacion mbledh më shumë se 1,000 figura prej akulli, të cilat varen mbi tenxhere, tasa dhe mjete të tjera kuzhine të pajisura me mikrofona. Sipas Azevedo-së, “Tingulli është shumë i rëndësishëm sepse thërret atë zhdukje. Skulpturat që shkrihen krijojnë një lidhje mes një vetëdijeje subjektive dhe një ndërgjegjeje kolektive.”
Këto instalacione jo vetëm që tregojnë për përkohshmërinë dhe brishtësinë e jetës, por edhe thërrasin njerëzimin për të reflektuar mbi marrëdhënien e tij me natyrën dhe për të ndryshuar rrjedhën e krizës klimatike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.