Art dhe Kulture

Hapet ‘Vila 31’ / 20 artistë të huaj do jetojnë në shtëpinë e diktatorit Hoxha. Rama: Shkrimtarët do i vendosim në Gjirokastër

Nga Liridon Mulaj– U prezantua koncepti i ri i “Vilës 31” e cila nga shtëpi e diktatorit Enver Hoxha shndërrohet në Rezidencë arti ku çdo vit, banorë të saj do të jenë mbi 20 artistë të huaj të ndarë periudha 3 mujore.

Qeveria e Shqipërisë në bashkëpunim me fondacionin francez “Art Explora” e kthejnë këtë hapësirë nga një godinë të izoluar mes pikëpyetjeve rreth funksionit të saj në një rezidencë artistësh dhe një ambient të hapur kulturor. 20 artistë nga Ballkani do të jetojnë dhe performojnë disiplina të ndryshme arti, nga Janari deri në Nëntor.

Nga vila e diktatorit në strehën  e artistëve nga e gjithë bota

Ambientet e vilës luksoze ku jetonte dikur diktatori Enver Hoxha, tashmë do të jenë “streha” e artit për 20 artistë nga Ballkani. Në kthinat e mobiluara dhe në dhomat e shumta të gjumit brenda vilës tashmë artistët do të jenë të lirë të jetojnë, të krijojnë, të flenë madje dhe të gatuajnë e të hanë në kuzhinën ku gatuhej për diktatorin Hoxha. Pllakat e pandryshuara të kësaj të fundit nuk janë të vetmet dëshmi të një mirëqënieje e cila nuk e kalonte traun e ish-bllokut. Gjithçka pas këtij trau ishte diktaturë.

Nuk është hera e parë që në atë vilë flenë artistë. Ernesto Sabato është shkrimtari i parë që fjeti në atë godinë në vitin 1996 gjate një vizite në Shqipëri. Sipas dëshmisë së shkrimtares Mira Meksi, ai madje as nuk arriti të flinte, sepse u zgjua në mesnatë dhe doli prej aty duke përfunduar në një nga hotelet e vjetra përreth qendrës së Tiranës së dikurshme. I pyetur për këtë arratisje, Sabato do të rrëfente se natën kishte parë hije nëpër shtëpi.

Por tashmë koha ka ndryshuar, në vilë është ndërhyrë dhe pakgjë të kujton atë kohë. Sigurisht disa prej mobiljeve mbeten të njëjta, edhe pllakat që veshin muret por struktura e vilës dhe arredimi tashmë është krejt tjetër. Dy arkitektë francezë janë kujdesur që vila tashmë të kthehet në një rezidencë pritjeje për artistë nga e gjithë Europa.

Armando Duçellari, Arnilda Kyçyku, Genny Petrotta, Amie Barouh janë vetëm disa nga artistët të cilët për tre muaj me radhë do të jenë banorët e asaj shtëpie.

Rama: Vendosëm të bënim në këtë rezidencë atë çka diktatori nuk arriti kurrë ta bëjë, A`rt.

I pranishëm në prezantimin e rezidencës kryeministri Edi Rama ndau përshtypjet mbi ambientet dhe konceptin e ri të Vilës e cila tani e tutje do ti shërbejë vetëm artit.

“Më vjen mirë që sot mbaron një rrugë e gjatë përsiatjeje se çfarë do të ndodhë me këtë godinë, dilemave se çfarë programi kishte kjo godinë dhe dilemave për ta shembur apo jo. Gjithçka është përmbyllur në mënyrën më të mirë”, tha Rama.

Kryeminstri u ndal veçanarisht te dy arkitektët francezë, Thibault Marca dhe Lucie Niney të cilët kanë projektuar shndërrimin e godinës.

“Dua të falënderoj arkitektët të cilët e kanë shndërruar këtë shtëpi fantazmash në një hapësirë e cila ka një program diametralisht të ndryshëm nga programi që ishte planifikuar për këtë shtëpi. Por edhe duke ruajtur një përmbajtje nga pikëpamja e dekorit e duke e bërë më tërheqëse dhe më frymëzuese”, vijoi kryeministri Rama.

Rama: Shtëpia e shkrimtarëve së shpejti do të jetë në Gjirokastër

Pyetjes së Gazeta SI se pse në përmbajtjen e artistëve ku theksohej ndërdisiplinore mungonin letërsia dhe shkrimtarët,  Rama iu përgjigj se shkrimtarët do të kenë shtëpinë e tyre së shpejti në Gjirokastër.

“Kjo është një rezidencë kryesisht e artit pamor. Ka dhe një projekt për një rezidencë shkrimtarësh në Gjirokastër, atje ku ka jetuar shkrimtari Ismail Kadare dhe që përbën edhe njëfarë sensi dhe simbolike për shtëpinë e shkrimtarëve”, përfundoi kryeministri.

Ndërkohë ministri Blendi Gonxhe vuri theksin te bashkëpunimi mes Art Explora dhe Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit si një bashkëpunim i cili do të menaxhojë dhe mirëmbajë këtë godinë në të ardhmen. Marrëveshja e menaxhimit ka një periudhë 10 vjeçare ku çdo vit, banorë të rezidencës do të jenë mbi 20 artistë të huaj të ndarë periudha 3 mujore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë