Njerez

Kush ishte Anastas Janullatos, si u zgjodh Kryepeshkop në Shqipëri, përplasja me Berishën (president) dhe periudha e artë me Metën

Më 24 qershor 1992 me propozim të Patriarkut Ekumenik Vartholomeu i I, u zgjodh me vota unanime Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë deri atëherë, eksark Patriarkal Anastas Janullatosi. Anastasi kontribuoi në ngritjen e Kishës Autoqefale të Shqipërisë mes kundërshtimeve të ortodoksëve shqiptarë. Gjatë drejtimit të tij në Shqipëri, nuk munguan akuzat dhe polemikat nga akademikë dhe opinioni publik, të cilat ushqeheshin shumë nga marrëdhëniet e tensionuara dhe incidentet shqiptaro-greke

Gazeta Si – Që kur erdhi në Shqipëri para rreth 35 vitesh, e deri në kohët e fundit, Anastas Janullatos, ka qenë një personazh me dritëhije sa i takon përplasjeve me politikën e brendshme, akademikët dhe opinionin publik.

Siç ka treguar edhe ai vetë për shtypin e kohës, ardhja e Kryepeshkopit në Shqipëri nuk ka qenë e lehtë. Janullatos lindi më 4 nëntor të vitit 1929 në një familje besimtarësh orthodoksë në Greqi. Ai u rrit me besim dhe gjatë viteve të formimit merrte pjesë në mënyrë aktive në Kishë.

Në fillim, atij i pëlqente matematika dhe gjatë viteve të adoleshencës dëshironte të vazhdonte studimet në këtë shkencë.

Mbërritja në Shqipëri dhe emërimi

Fortlumturia e tij Anastas, mbërriti në Shqipëri më 16 korrik 1991 pas hapjes së Shqipërisë nga rrëzimi komunist dhe u lejua të drejtojë përkohësisht me cilësinë e eksarkut (këshilltarit) këtë kishë.

Pak ditë para ardhjes në Shqipëri, i dërgoi më 3 qershor 1991 Presidentit të Republikës së Shqipërisë asokohe, Ramiz Alia një letër, ku i kërkonte të qëndronte në krye të kishës deri sa ajo të riorganizohej.  

Por ndryshimi i sistemit politik në Shqipëri në fillim të viteve ‘90, solli edhe “konvertimin” e Kishës shqiptare.

Kundërshtimet ndaj Kryepeshkopit Anastas, përqendrohen te qenia e tij me kombësi greke dhe tensionet e incidentet në kohë të ndryshme të marrëdhënieve mes Shqipërisë e Greqisë.

Në 2 gusht 1992 fronëzohet si Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, në Kishën Katedrale të Tiranës, në prani të të gjithë klerikëve e laikëve, përfaqësues të krahinave të Shqipërisë, të përfaqësuesve të Patriarkanës Ekumenike të Konstandinopojës (Stambollit), si dhe nga klerikë ortodoksë nga SHBA-të.

Përplasja me klerin shqiptar dhe ish-presidentin Berisha

Duke pasur kundërshtime nga një grup personash të besimit ortodoks brenda në kishë, nuk munguan akuzat se edhe Patriarkati kishte shkelur dispozitat për emërimin e kryepeshkopit të ardhur nga Greqia.

Kisha Ortodokse dhe Kryepeshkopi, deklaronte vazhdimisht në median e shkruar dhe televizive se fronëzimi i tij si Kryepeshkop ishte i rregullt dhe pa ndonjë shkelje kanonike të Kishës, as të shtetit, por u krye pas miratimit zyrtar të Presidentit të atëhershëm të Shqipërisë, Sali Berisha (30.6.1992).

Në fakt, Sinodi Ekumenik i Patriarkanës së Stambollit emëroi Anastasin jo më ekzark, por kryepeshkop të KOASh-it.

Me këtë rast, ai nisi në Shqipëri një delegacion patriarkal, në të cilin bënin pjesë ndër të tjerët, metropolitët Perjis Evangjellos dhe Meliton i Filadelfias.

Por, kërkesa e tyre për të krijuar Sinodin shqiptar kishtar me peshkopë grekë, nuk gjeti gatishmërinë e Presidentit Sali Berisha asokohe.

Megjithatë, ish-presidenti Berisha dha pëlqimin vetëm për zgjedhjen e Anastasit si kryepeshkop, ndonëse shfaqi rezerva se ai nuk kishte të drejtë t’i impononte krerët e saj.

Ndërsa në vjeshtën e vitit 1994, u tentua me projektkushtetutën e re, largimi përfundimtar i Kryepeshkopit, nismë që u hodh poshtë në referendumin e 6 nëntorit 1994.

Nano, Rama dhe periudha e artë me Metën

Kur në pushtet erdhi Fatos Nano pas trazirave të vitit 1997, marrëdhënia miqësore me Anastasin u konsolidua me “lejen” për ngritjen e varreve të ushtarëve grekë, rënë në Shqipëri gjatë Luftës së dytë Botërore. Ndërtimi i këtyre varreve, vijoi me një hop cilësor, sapo në pushtet erdhi kryeministër Edi Rama.

Episodet problematike të shoqëruara me protesta për rolin e Kishës në zhvarrimet e ushtarëve grekë në jug të vendit, si në Kosinë të Përmetit apo Dragot të Tepelenës, që u karakterizuan edhe nga abuzime të dyshuara për lëvizjen e eshtrave, qetësoheshin menjëherë politikisht edhe falë ndërhyrjes së Anastasit.

Në fakt, periudha e artë e tij në Shqipëri, përkon me kohën kur president ishte Ilir Meta, i cili në 24 dhjetor të vitit 2017 vendosi t’i japë shtetësinë shqiptare Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Në fakt, Anastasi kishte bërë kërkesën që në vitin 1992, por të gjithë presidentët e vendit e kishin refuzuar për 25 vite.

Që nga viti 1992, kreu i Kishës Ortodokse kishte kërkuar nënshtetësinë shqiptare me ngulm, por kurrë nuk ia kishte dalë.

Refuzimet për këtë kërkesë, kanë kaluar në disa duar presidentësh të Shqipërisë, duke filluar me Berishën, Meidanin, Moisiun, Topin dhe gjithashtu i fundit para Metës, Bujar Nishani.

Në një letër ku e njofton për vendimin e marrë, Meta shkruan se ai i ka shërbyer jo vetëm njohjes ndërkombëtare të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, por veçanërisht përhapjes përtej kufijve të Shqipërisë, të vlerave e pasurisë së harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndër-fetare të popullit shqiptar.

Misioni dhe vështirësitë

Janullatos e kujton nisjen e misionit të tij në vendin tonë si ditën kur u përball me një vend shumë të varfër. Fjalët e para që ka mësuar, kishin të bënin sigurisht me shërbesat fetare.

“Vitet e para ishin të vështira, dominuar nga një dyshim i pazakontë. Unë shkova fillimisht si eksark patriarkal (këshilltar) për të parë se çfarë i kishte mbetur Kishës së shpërbërë për 23 vjet. Shumë njerëz nuk besonin se ky ishte misioni im dhe kishte disa dyshime, sepse vija nga Greqia”, – kujton Janullatos ardhjen e tij për herë të parë në Shqipëri në vitin 1991 për një gazetë qipriote.

Një tjetër çështje delikate ku u përfshi kryepeshkopi, ishte ajo e pronave në Himarë, duke deklaruar se çështjet e pronës në Shqipëri “janë shumë komplekse, ndërsa sistemi i drejtësisë i zvarrit ato, njëjtë si me pronat e kishës”.

Politikanë të ndryshëm dhe akademikët shqiptarë e kanë akuzuar shpesh si “agjent të huaj” dhe jo “përbashkues” në rastet e disa incidenteve mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Në një intervistë para disa vitesh për një televizion grek, Anastasi deklaroi se pas drejtimit të tij, është koha që Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare ta drejtojë një shqiptar.

“Po është e natyrshme dhe mëse e qartë, unë  jam aty prej  shumë vitesh. Dëgjoni… Ne grekët nuk kemi guximin ta vëmë veten në vendin e tjetrit. E imagjion dot? A do të kishim lejuar ne të kishim dikë nga Serbia apo Bullgaria që të na drejtonte kishën? Unë nuk  shkova aty për të krijuar një koloni po për të krijuar Kishën Autoqefale Ortodokse Shqiptare”.

Roli dhe aktiviteti i Kishës Autoqefale nën drejtimin e Anastasit

Në korrik 1996, pa ndonjë marrëveshje me palën shqiptare, u bënë në Konstandinopojë dorëzimet në mitropolitë të kandidatëve të zgjedhur në vitin 1992 për mitropolitë.

Përfundimisht, pas diskutimesh këmbëngulëse ndërmjet përfaqësuesve të Patriarkanës Ekumenike, Kishës Autoqefale të Shqipërisë dhe Autoriteteve shqiptare (nga nëntori i vitit 1997 deri në korrik të 1998), çështja e formimit të Sinodit të Shenjtë u arrit me pranimin e skemës që ai të përbëhej nga dy kryepriftërinj me origjinë greke dhe dy me origjinë shqiptare.

Kështu, në korrik 1998 u formua Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, i përbërë nga Kryepiskopi Anastas, kryetar; Mitropoliti i Beratit Ignati, Mitropoliti i Korçës Joani, Episkopi i Apolonisë Kozma, Kryesekretar i Përgjithshëm, Protopresviter, Jani Trebicka.

Nga 3-4 nëntor 2006, në Manastirin e Shën Vlashit, në Durrës, u mblodh posaçërisht Asambleja Kleriko-Laike e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë, e përbërë nga 257 anëtarë, e cila shqyrtoi nen për nen dhe pranoi unanimisht Statutin e ri të Kishës.

Më 6 nëntor, u mblodh Sinodi i Shenjtë, i cili aprovoi Statutin e Ri të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Kështu, u krijuan dhe u organizuan enoritë (famullitë) në shumicën e qyteteve, fshatrave dhe krahinave me popullsi orthodhokse.

U dorëzuan 165 klerikë, të gjithë nënshtetas shqiptarë, të diplomuar në Akademinë Teologjike Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit” në Durrës, që prej vitit 1992.

Gjatë këtyre dekadave, u ngritën nga themelet 150 kisha, u rikonstruktuan 160 të tjera, u restauruan 70 monumente kulture.

Përveç arsimit kishtar (Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, Shkollës së Mesme Kishtare “Kryqi i Nderuar”, Gjirokastër dhe Sukth të Durrësit, Shkollës 2-vjeçare së Muzikës Bizantine), u ngritën edhe institucione të tjera arsimore.

Krahas tyre, Kisha, nën drejtimin e Kryepeshkopit Anastas, tregoi interesim për përkujdesin shëndetësor në vend, pa dallim besimi, duke ngritur qendra të ndryshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë