Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe leximit ndanë sot çmimet kombëtare të letërsisë. Një traditë kjo e përvitshme ku vlerësohen veprat më të mira letrare dhe studimore në harkun e një viti.
Besnik Mustafaj me romanin e tij “Fati i marrë” fitoi çmimin si romani më i mirë i vitit, roman i cili trajton historinë e Shqipërisë parë nga një rrjedhë tjetër e historisë. Duke u marrë kryesisht me profilet psikologjike të personazheve , Mustafaj ia ka dalë të ndërtojë një roman serioz dhe impenjativ për një lexues të kualifikuar.
Ai rrëfen për Gazeta “Si” dhe ndjesitë pas fitimit të këtij çmimi.
“Fitimi i një çmimi më shumë se për autorin vlen për letërsinë shqipe për të hapur një debat mbi cilësinë e letërsisë sonë. Pa kritikët dhe studiuesit e letërsisë të cilët janë të ftuar të thonë fjalën e tyre, letërsia nuk ecën përpara”, thotë Mustafaj.
Pyetjes se a vjen i vonuar ky çmim për Mustafajn, ai përgjigjet se çmimet nuk janë kurrë të vonuara për shkrimtarin.
“Ato nuk vendosin për jetën letrare të shkrimtarit, çmimet veç sa e ndihmojnë shkrimtarin të rritet”, shton më tej Mustafaj.
Një tjetër çmim i rëndësishëm është edhe ai i vëllimit me poezi më të mirë të vitit. Poetja fituese Entela Tabaku e cila e mori këtë çmim për vëllimin e saj “ Qeramikiana” thotë për Gazeta “Si” se ky vlerësim e bën të ndihet dyfish e lumtur edhe për faktin se ajo nuk jeton në Shqipëri dhe nuk i përket rrethit letrar të këtushëm.
“Jam shumë e kënaqur për këtë çmim sepse i jep poezisë sime një mundësi më shumë të njihet në Shqipëri. Aq më tepër që unë jetoj në Suedi dhe nuk e kam shansin dhe mundësinë të jem e pranishme. Gjithashtu ky çmim më jep dhe kënaqësi personale” thotë Tabaku.
E pyetur se a e afron ky çmim më tepër me Shqipërinë dhe a mendon se do të jetë më prezente në jetën letrare shqiptare, Tabaku përgjigjet se varet nga ftesat që do ti vijnë në vazhdim dhe interesi për njohjen e veprës saj.
Libri studimor është një tjetër kategori e fituar nga historiani Pëllumb Xhufi me librin “ Shqipëria dhe fund shekulli i dëshpëruar” , një libër i cili flet për shqiptarët që e braktisën Shqipërinë duke u shkrirë me parinë veneciane e napoletane dhe për ata cilët qëndruan dhe u vunë në shërbim të regjimit të ri, duke u njësuar edhe në fe me pushtuesin osman.
Por përkundër tendencës dhe qasjes së pakët ndaj librit, është zhanri i librave për fëmijë ai që njeh vetëm rritje. Fakt për tu përmëndur është se janë shtuar autorët shqiptarë të cilët bëjnë letërsi për fëmijë. Edhe Lediona Braho, fituesja e çmimit si vepra më e mirë për fëmijë me librin “ Kroni dhe pulëbardhat” shprehet për Gazeta “Si” e lumtur dhe falënderon jurinë për vlerësimin objektiv. Ajo zbulon se libri i dedikohet nipit të saj.
“Faleminderit jurisë për vlerësimin e librit “Kroni dhe pulëbardhat”, libri im i parë për fëmijë. Jam e habitur dhe nuk e prisja çmimin, por më gëzon shumë që një libër i shkruar thjesht dhe shpejt, me deshirën për t’ia dhuruar një fëmijë që luftoi me jetën, nipin tim të shtrenjtë, vlerësohet për stilin dhe origjinalitetin e tij. Mbase përvoja në fushën e psikologjisë ka ndihmuar mendimin. Megjithatë, them se, vetëm prej gjuhës së dashurisë me të cilën u shkrua, ky libër fluturoi lart, për të lënë një gjurmë në letërsinë kombëtare” thotë Braho.
Një tjetër libër që u vlerësua si vëllimi më i mirë me tregime është “ Dashnia asht” i shkrimtari shkodran Shpetim Kelmendi.
“ Ky çmim vjen në kohën e duhur dhe momentin e duhur. Është një çmim të cilin mendoj se e meritoj dhe se më jep njëfarë shtyse por dhe motivimi për të shkruar vepra të mira” thotë për Gazeta “Si” Kelemendi.
Përkthimi është një tjetër kategori e cila u vlerësua me çmim. Aq më tepër kur shumica e librave që qarkullojnë në vendin tonë janë përkthime. Ana Kove, një përkthyese skrupuloze e letërsisë gjermane shprehet e lumtur për fitimin e çmimit. Aq më tepër kur vjen për një shkrimtar të madh nobelist si Gunter Grass dhe me një nga veprat më të rëndësishme të letërsisë së tij.
“Pas thuajse një jete që merrem me letërsinë , si përkthyese, si redaktore letrare por dhe kuratore e aktiviteteve letrare, ky çmim vjen në një moment shumë domethënës kur Gunter Grass bën 60 vite nga marrja e çmimit Nobel por dhe në kohën kur është zbuluar dhe letërkëmbimi i tij me shkrimtarin tonë Ismail Kadare” thotë Kove.
Por edhe këto çmime si çdo çmim i mundshëm patën konstestimet e tyre. Kryetari i jurisë Koloreto Cukali, shprehet për Gazeta “Si” se ndihet i lehtësuar që procesi u përmbyll në mënyrën më të mirë.
“ Personalisht jam shumë i lumtur që puna një vjeçare u kurorëzua në mënyrën më të mirë sot me këtë ceremoni. Ka qënë nje vit jo i lehtë me lexime të shumta, debate më kolegët e jurisë por dhe vrasje të ndërgjegjes herë pa here” thotë Cukali.
Ai flet dhe për akuzat që iu bënë nga shkrimtarët Mira Meksi dhe Primo Shllaku.
“ Akuzat mendoj se na kanë bërë mirë. Qëllimi ynë ka qënë që të eliminojmë qokat dhe ndërhyrjet në punën tonë. Dhe kemi dashur gjithashtu që vendimet tona të jenë më të drejtat dhe më të ndershmet, ndoshta jo më të mirat sepse letërsia është punë shijesh por në këtë pikë dhe këtë finalizim unë ndihem i qetë në ndërgjegje dhe i lumtur për të gjithë këtë punë që kemi bërë” përfundon Cukali.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.