Drejtësia

Vrasja e Ramazan Matajt për nderin e motrës në Shkodër, burg për 2 vëllezërit Hasaj

Gazeta Si – Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për dy vëllezërit Arjon dhe Klisman Hasaj. Dy të rinjtë akuzohen për vrasjen e Ramazan Matajt në fillim të muajit janar në fshatin Dragoç të Shkodrës.

Arjon Hasaj e ka pranuar vrasjen para grupit hetimor, duke thënë se 33-vjeçarin Mataj e vrau për shkak se sipas tij, i kishte shkatërruar 2 martesa motrës së tij.

Asnjë nga vëllezërit nuk ka folur në seancë. Asnjë familjar nuk kishte shkuar jashtë gjykatës, pasi janë të ngujuar nga frika e gjakmarrjes.

Pala mbrojtëse ka kërkuar për Klisman Hasaj që t’i jepet masa “arrest shtëpie”, pasi nuk është përfshirë në atentat, por një gjë e tillë është kundërshtuar nga gjyqtarja Irida Barkaj.

Ramazan Mataj u gjet i vrarë në automjetin e tij “Mercedes-Benz” mëngjesin e 5 Janarit. Në makinë, policia i gjeti viktimës dy celularë, njëri prej të cilëve pa kartë, ku hetuesit gjetën mesazhe që vëllezërit Hasaj i kishin dërguar atij për ta nxjerrë në pritë.

Arjon Hasaj, baba i 4 fëmijëve, në dëshminë e dhënë ka pretenduar se Ramazan Mataj i ka prishur dy martesa motrës së tij, si edhe i ka shpërndarë video të tyre intime tek bashkëshorti i dytë, si edhe në fshat.

I arrestuar si bashkëpunëtor i ngjarjes së rëndë është edhe i vëllai Klisman Hasaj, i cili dyshohet se siguroi kushteve për të kryer vrasjen dhe fshehjen e armës së krimit, akuza të cilat 20-vjeçari i ka mohuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë