Gazeta Si – Adriatik Roshi u dhunua brutalisht me leva hekuri, sëpatë, çekiçë, sende të forta dhe u godit madje edhe me qytën e një pistolete nga anëtarë të familjes Koçeku pak ditë më parë në një berberhane në Tiranë.
Gazetasi.al ka siguruar videon, ku 5 persona të maskuar e masakrojnë me goditje të njëpashnjëshme, duke e shënjestruar thuajse në çdo pjesë të trupit, sidomos në gjymtyrë.
Grupi prej 5 personash, dy prej të cilëve janë arrestuar dhe disa të tjerë janë shpallur në kërkim, kishte informacion se 48-vjeçari kishte shkuar për t’u qethur në një berberhane.
Ata hynë në një godinë dhe njëri prej tyre e nxjerr nga dyqani ku ndodhej në zonën e Laprakës. Pasi e shtrijnë në tokë, të gjithë fillojnë ta godasin në mënyrë barbare.
Roshi ndodhet në spital në gjendje stabël sipas mjekëve, ndërsa agjentët e Komisariatit nr. 3 identifikuan në total 6 persona në kuadër të operacionit “Details”, të cilët organizuan, ruajtën dhe dhunuan 48-vjeçarin, ku 2 prej të cilëve u arrestuan.
Këta të fundit, të pamaskuar, janë Gani Koçeku dhe Ledio Tusha, të cilët kanë shërbyer si vëzhgues të Roshit brenda berberhanës.
Sipas policisë së Tiranës, katër personat që morën pjesë në sulm, janë Ronald Koçeku, Luçiano Koçeku, Dino Koçeku dhe Gëzim Koçeku, të cilët janë shpallur në kërkim.
Për policinë e Tiranës, dyshohet se konflikti lidhet në shenjë hakmarje pas një sheri të zhvilluar mes dy grupeve në një lokal nate të njohur në një resort në Palasë të Himarës.
Ky konflikt ndodhi në fund të muajit gusht 2024 në kompleksin “Green Coast”, ku pas sherit, Artur Koçeku që mbeti i dëmtuar nga kjo përplasje, refuzoi të bëjë kallëzim penal në Prokurorinë e Vlorës, duke pretenduar se ishin pajtuar me palën tjetër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.