Gazeta Si – Për herë të parë që kur u arrestua në 21 tetor për disa akuza, Ilir Meta pritet të merret në pyetje nga prokurorët të martën (nesër) e datës 7 janar.
Sipas burimeve paraprake, mësohet se Meta do të merret në pyetje në orën 10:00 nga prokurorët e çështjes, pasi akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.
Mësohet se ish-presidenti do të pyetet në cilësinë e personit nën hetim, ku i pranishëm do të jetë edhe avokati i tij Genc Gjokutaj.
Ish-presidenti Meta, ka reaguar menjëherë nga burgu pas njoftimit se do të pyetet nesër nga SPAK. Në faqen e tij zyrtare në Facebook, është postuar reagimi i tij, ku thekson se do të paraqitet për t’i pyetur ai prokurorët e posaçëm.
Ai përsërit se “organizata kriminale SPAK” firmosi rrëmbimin e paligjshëm dhe banditesk. “Sapo mësova nga mediat e regjimit, që nesër unë, lideri i Partisë së Lirisë, forcës së dytë opozitare dhe forcës së tretë politike në vend, qenkam thirrur për t’u pyetur nga organizata kriminale SPAK, e cila firmosi rrëmbimin tim të paligjshëm dhe banditesk. Padyshim që do jem atje për t’i marrë unë në pyetje dhe pas kësaj seance jam i hapur për çdo pyetje nga mediat që do të jenë të pranishme”, shkruan Meta.
Ish-presidenti Ilir Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë në opozitë, akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për tre çështje korrupsioni; për dosjen e njohur si CZ-DIA, për përfitimin e vlerave monetare në këmbim të influencës së ushtruar në favor të një kompanie telekomunikacioni si dhe për marrëdhënien e dyshuar korruptive me nje bizmesmen, për marrjen përsipër të ndryshimit në favor të tij, të një ligji në Kuvendin e Shqipërisë.
Meta akuzohet gjithashtu për kontratat e konsulencës dhe lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pastrimin e produkteve të veprës penale në blerjen e një shtëpie në Tiranë si dhe mosdeklarimin e shpenzimeve mjekësore për periudhën 2013-2019.
Ai u arrestua në 21 tetor bazuar në rezultatet e këtyre hetimeve dhe gjendet në paraburgim. Meta i ka mohuar akuzat dhe ka kërkuar revokimin e masës së sigurisë në gjykatë.
Akuza të ngjashme SPAK ka ngritur edhe ndaj deputetes Monika Kryemadhi, njëherazi bashkëshorte dhe bashkëpunëtore për dekada e Metës, por çifti ndodhet tashmë në një proces divorci.
Nga ana tjetër, Kryemadhi po hetohet në gjendje të lirë me masën e sigurisë “detyrim praqitje”. Edhe ish-kreu i AKEP, Pirro Xhixho ndodhet në “detyrim paraqitje” për akuzën e korrupsionit pasiv. Në të njëjtën masë sigurie po hetohet për pastrim parash edhe Ema Çoku, një financuese e LSI-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.