Politike

Mbyllja e TikTok për 1 vit, kompania kineze kërkon sqarime urgjente nga qeveria! Rama: Në Shqipëri vendosin shqiptarët

Gazeta Si - Pak orë pas vendimit të qeverisë shqiptare për të mbyllur për një vit TikTok-un, platforma e njohur me qendër në Kinë, përmes zëdhënësit të saj, është shprehur se kërkon “sqarime urgjente” nga qeveria shqiptare.

“Ne nuk gjetëm asnjë provë që autori ose viktima të kishin llogari në TikTok dhe raportimet e shumta kanë konfirmuar në fakt se videot që çuan në këtë incident po postoheshin në një platformë tjetër, jo në TikTok”, tha kompania kineze për agjencinë e lajmeve "Reuters".

Por përmes një postimi në “X”, Rama thekson se kjo vendimmarrje nuk vjen në formë të nxituar, por pas një këshillimi të gjerë me prindër në të gjitha shkollat e vendit.

Reagimi i Ramës

Ai ka një përgjigje edhe për kompaninë e TikTok, duke thënë se “në Shqipëri vendosin shqiptarët, jo pronarët e algoritmit të këtij rrjeti”.

Sipas tij, "TikToku nuk ka çfarë sqarimesh kërkon nga Shqipëria, sepse në Shqipëri vendosin shqiptarët jo pronarët e algoritmit të TikTokut. Ndërsa Shqipëria është shumë e vogël për t’i kërkuar TikTokut të mbrojë fëmijët dhe rininë nga humnerat e frikshme të algoritmit të tij, por uron që TikToku ta bëjë këtë për të mirën e të gjithë njerëzimit, përfshirë edhe Shqipërinë”, shkruan kreu i qeverisë.

Sipas kryeministrit, kjo platformë përbën një kërcënim për fëmijët dhe rininë e ditëve të sotme.

“Të thuash se vrasja e nxënësit adoleshent s’ka lidhje me TikTokun, sepse konflikti nuk qenka gjeneruar nga Tik Toku do të thotë të mos kesh kuptuar as seriozitetin e kërcënimit që ajo plaftormë ka sjellë për fëmijët dhe rininë e kësaj kohe, as fillin e arsyetimit të vendimit tonë për të marrë përgjegjësinë e reagimit ndaj atij kërcënimi.  Fortlumturisht Shqipëria është një vend demokratik, ku kur mbi 90% e prindërve kërkojnë ndalimin e TikTokut dhe kur shumica dërmuese beson se shëndeti i fëmijëve tanë nuk mund t’i shërbejë platformës, po platforma duhet t’i shërbejë shëndetit të fëmijëve tanë, atëherë vendimi ynë nuk ka se si të jetë më i qartë”, shton Rama.

“Ose vetë TikToku duhet t’i mbrojë fëmijët e Shqipërisë ose Shqipëria do t’i mbrojë fëmijët e vet nga TikToku”, shkruan Rama në mbyllje.

Jehonë ndërkombëtare

Ndërkohë, të njëjtin reagim TikTok e ka dhënë edhe për mediat e tjera ndërkombëtare si BBC, "The Guardian" apo "Al Jazeera".

BBC shkruan se bllokimi i TikTok vjen pas një muaji nga vrasja e nxënësit 14-vjeçar në një shkollë në Tiranë, e cila i kishte fillesat në një konflikt që nisi në rrjetet sociale.

Vrasja ndezi një debat në Shqipëri mes prindërve, psikologëve dhe institucioneve arsimore për ndikimin që kanë rrjetet sociale tek të rinjtë.

Britanikja "The Guardian" citon deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë që thotë se kjo masë do të jetë për një vit, ndërsa ka fajësuar mediat sociale dhe TikTok në veçanti, për nxitjen e dhunës mes të rinjve brenda dhe jashtë shkollës.

Ndalimi në botë

TikTok është tashmë i ndaluar në Indi, i cili ishte një nga tregjet më të mëdha të kësaj platforme. Është gjithashtu i bllokuar në Iran, Nepal, Afganistan dhe Somali.

TikTok po lufton gjithashtu kundër një ligji të miratuar nga Kongresi Amerikan, i cili do ta ndalojë aplikacionin nga 19 Janari, nëse nuk shitet nga ByteDance, kompania e saj mëmë kineze.

Disa vende evropiane, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Belgjikën, kanë vendosur kufizime në përdorimin e mediave sociale për fëmijët. Australia miratoi në nëntor një ndalim të plotë të mediave sociale për fëmijët nën 16 vjeç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë