Nga Gazeta Si - “Mbrëmë e parmbrëmë u zumë prapë dhe ai më goditi. Kur pi alkool bëhet i padurueshëm. Dua të ndahem, por ia kam frikën atij, sepse e di që s’do të më lejojë të largohem nga shtëpia”.
Me këto fjalë nis të tregojë historinë e saj 30-vjeçarja Klaudia Hiluka, nënë e një djali 1-vjeç.
Historia e saj e trishtë i ka fillesat në Itali, atje ku jeton familja e Klaudias, nëna, babai dhe 1 motër e 1 vëlla më i vogël se ajo.
Me bashkëshortin, babain e fëmijës, u njoh pikërisht në Itali ku ai ishte emigrant i sapoardhur nga Shqipëria.
Xhelozia e sëmurë bëri që mes çiftit të nisnin shumë shpejt grindjet, konfliktet deri tek dhuna fizike.
Nisur nga kjo situatë, prindërit e Klaudias shumë herë insistonin që ajo të mos vazhdonte bashkëjetesën me burrin dhunues, por ajo, shtatzënë, zgjodhi të ndiqte bashkëshortin i cili një vit më parë u kthye në Bogë, në vendlindje.
“Kam jetuar qëkur erdhëm nga Italia e deri në shtator të këtij viti, tek shtëpia e prindërve të bashkëshortit. Nuk mund tua tregoj gjendjen në të cilën ndodhesha. Familja ime më dha ultimatum, ose me ta ose me familjen e burrit dhe unë zgjodha babain e fëmijës, sepse e doja. Por nuk e prisja të gjendesha këtu ku jam”, thotë e reja që sytë i mbushen me lot teksa shtrëngon në kraharor djalin që sapo ka mbushur 1 vjeç.
Dhuna fizike, shkak i arsyes për divorc
Klaudia thotë se i shoqi është xheloz për të dhe nuk e lejon të punojë.
Ajo është larguar nga Lezha, vendlindja e saj, drejt Italisë me familjen shumë herët, që kur ishte fëmijë dhe atje kishte një punë e siguronte të ardhura në mënyrë të pavarur. Por bashkëjetesa i mbylli shumë dyer duke e shndërruar në një shtëpiake që nuk siguron dot as ushqim për djalin.
‘Jetoj me ndihma, kam trokitur në dyert e bashkisë Shkodër për ndihmë ekonomike, por duhet të përgatis dokumentacionin. Ndonjëherë kur ai punon më sjell të holla në shtëpi, por këto janë shumë pak në raport me nevojat e djalit.
Kisha franceskane këtu në Shkodër shpërndan pako ushqimore për familjet në nevojë dhe unë i jam drejtuar atyre. Por shqetësimi im më i madh është gjyqi, sepse unë dua të largohem tek familja ime në Itali e për këtë dua të marr kujdestarinë e fëmijës. Nuk e di si do e presë burri im edhe pse unë i kam thënë se do të ndahemi’, thotë Klaudia me lot në sy.
Në zyrën ligjore për ndihmë juridike parësore që ndodhet në gjykatën e rrethit Shkodër, rastin e Klaudias po e ndjek një ekip juristësh të cilët thonë se shpresojnë t’i japin zgjidhje.
Xhenjola Sulejmani, juriste pranë kësaj zyre thotë për Gazetasi.al se me rastin e nënës së re 30-vjeçare, ndihma juridike konsiston në disa drejtime.
“Së pari Klaudia po përgatit dokumentacionin për përfitimin e ndihmës ekonomike. Më pas ne si zyrë do të përgatisim shkresat që kërkojnë përfaqësimin e Klaudias në gjyqin e divorcit me një avokat falas nga shteti. Patjetër që urdhri i mbrojtjes prevalon nga të gjitha këto, pasi Klaudia është një grua që dhunohet sistematikisht nga bashkëshorti, por ajo në kushtet e dobësisë si nënë e grua, e ka falur disa herë dhe ka tërhequr denoncimin. Sot jemi në kushtet kur vetë Klaudia kërkon që të ndahet prej tij, ndaj urdhri i mbrojtjes është hapi i parë që do të kërkojmë ne si zyrë ligjore’, thotë juristja Sulejmani.
Klaudia thotë se kësaj here nuk do të tërhiqet, por do t’i shkojë gjërave deri në fund, ndonëse u trembet pasojave.
Ajo ndjehet e vetme, e braktisur nga familja e saj biologjike, nga familja e bashkëshortit, dhe në Shkodër ajo s’ka asnjë të afërm që mund ta ndihmojnë.
Për këtë arsye, ajo disa herë ka paditur bashkëshortin e po aq herë është detyruar ta tërheqë padinë.
“Në Itali ai bëri burg për dhunë në familje. Unë mendoja se do të ndryshonte në Shqipëri pasi ma kishte premtuar. E ndoqa në kushtet e dëshpërimit, sepse s’dija si do bëja me një fëmijë të vogël e vetme. Por sot e shoh se nuk ka asnjë tërheqje më. Do ti shkoj deri në fund për djalin”, thotë për Gazetasi.al Hiluka.
Zyra për ndihmë juridike falas në gjykatën e rrethit Shkodër është ndër 20 qendrat e hapura në disa bashki të vendit ku 12 janë hapur me fondet e PNUD në bashkëpunim me qeverinë austriake nga të cilat 6 vazhdojnë të mbështeten po nga PNUD ndërsa 14 të tjera tashmë financohen nga buxheti i shtetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.