Shendet

A ishte ‘Septicemia Meningokokale’ diagnoza e 17-vjeçares? Mjekët: Rasti fatal, shkak kushtet e këqija të jetës

Nga Gazeta Si - Teksa pritet që ISHP të përcaktojë përmes analizave shkaqet e vdekjes së adoleshentes nga Durrësi, mjekë specialistë të pyetur nga Gazetasi.al thonë se 17-vjeçarja që humbi jetën në QSUT mund të jetë prekur nga septicemia meningokokale, një infeksion i qarkullimit të gjakut që shkakton vdekjen brenda disa orësh.

Burime konfidenciale thonë se viktima ishte pjesë e komunitetit rom dhe dyshime hidhen mbi kushtet e këqija të jetesës së saj, çka ka shkaktuar dhe infeksionin nga bakteri në gjak.

“Dyshime janë për stilin e jetesës së vajzës, e cila vjen nga komuniteti rom. Rreth 1 në 10 njerëz kanë bakteret ‘Neisseria meningitidis’ në pjesën e pasme të hundës dhe fytit pa qenë të sëmurë. Këta njerëz njihen si mbartës. Ata mund t'i përhapin bakteret te të tjerët përmes kontaktit ose pështymës, si pwr shembull, nga puthja ose kollitja në afërsi. Megjithatë, ato nuk kapen përmes kontaktit të rastësishëm”, thonë ekspertët e shëndetit publik për Gazetasi.al.

Sipas mjekëve epidemiologë, septicemia meningokokale është më e zakonshme tek foshnjat, adoleshentët dhe të rriturit e rinj.

Personat mbi 65 vjeç janë në rrezikun më të lartë të vdekshmërisë.

‘Vendet hotspot të sëmundjes së rëndë infektive janë konviktet, kampet, kazermat ushtarake ose kudo ku grupe të mëdha njerëzish jetojnë së bashku’, thonë epidemiologët.

Vaksinimi i rëndësishëm, nuk përfshihet në kalendarin kombëtar

Trajtimi i hershëm i septicemisë meningokokale mund të ndihmojë në parandalimin e komplikimeve kërcënuese për jetën ose dobësimin dhe  të çojë në një shërim të plotë.

Rreth 20% e njerëzve që i mbijetojnë sëmundjes meningokokale kanë komplikime afatgjata, të cilat janë më të zakonshme tek ata me sëmundje të rëndë.

Komplikimet mund të përfshijnë  humbjen e një ose më shumë gjymtyrëve, dëmtim të trurit, probleme me sistemin nervor, humbje dëgjimi, probleme psikologjike, vështirësi në të nxënë, epilepsia etj.

Septicemia meningokokale është një sëmundje e tmerrshme që godet shpejt dhe godet fort.

Diagnoza dhe trajtimi i menjëhershëm mund të ndihmojnë në parandalimin e vdekjes dhe komplikimeve të tjera serioze dhe të çojnë në një shërim të plotë.

Por ngjashmëria e simptomave me një gjendje virale si gripi, e bën të vështirë diagnostikimin e shpejtë dhe fatkeqësisht rastet fatale janë jo të pakta.

Mjekët ekspertë thonë se vaksinimi mund të shpëtojë jetë, por ajo mungon.

“Ekspertët e shëndetit publik duhet të kryejnë fushata promocionale, sidomos në grupet e riskut për ti edukuar mbi risqet e sëmundjes së meningitit, shkaqet e prekjes prej saj dhe si duhet të mbrohemi. Në farmaci ka vaksina për tu mbrojtur ndaj pacientët duhen orientuar drejt në të tilla raste”, thonë mjekët specialistë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë