Teater

Hapet pas restaurimit Teatri i Kukullave, Rama: Përpjekje për sa më shumë hapësira për fëmijët

Nga Gazeta 'Si'- Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në përurimin e Teatrit të Kukullave në Sheshin “Skënderbej”, i cili është restauruar totalisht.

Në fjalën e tij Rama tha se ky teatër ka një rëndësi të posaçme edhe për faktin që sot zhvillimi i infrastrukturës vihet në funksion të të gjithëve, por pjesa më problematike është ajo e fëmijëve të cilët sipas tij, janë më pak të përfshirë në rezultatet e zhvillimit.

“Më vjen shumë mirë që pas  një periudhe relativisht të gjatë mbylljeje për shkak të punës që u desh bërë që të shpëtoj kjo godinë, tanimë dyert e saj u hapën dhe aktiviteti i Teatrit do të rifillojë.  Ndër godinat e dëmtuara nga tërmeti ishin edhe një sërë godinash të trashëgimisë kulturore dhe për këtë arsye një program i veçantë u ndërtua në bashkëpunim  me miqtë e Bashkimit Evropian dhe janë 27 godina me vlerë të veçantë për historinë tonë dhe kulturën tonë, që falë këtij programi janë kthyer në sytë e duart e komuniteteve shumë më bukur seç kanë qenë më parë.

Përtej këtyre unë besoj se ky teatër ka një rëndësi të posaçme edhe për faktin që në përgjithësi qytetet sot dhe vendet sot dhe zhvillimi i infrastrukturës vihet në funksion të të gjithëve, por pjesa më problematike është ajo e fëmijëve. Të cilët janë më pak të përfshirë në rezultatet e zhvillimit. Bëhen hotele të bukura, ndërtime, resorte e zyra, por ajo që ju mbetet fëmijëve është gjithmonë shumë pak. Për këtë arsye është gjithmonë më shumë sesa një godinë, ndaj më vjen shumë mirë që kjo derë u hap”, tha Rama.

Ai po ashtu deklaroi se pavarësisht vrimës së madhe që tërmeti vdekjeprurës shkaktoi edhe në çatinë e Teatrit të Kukullave, gjendja e godinës “prej kohësh ishte për të ardhur keq”, dhe ndaj qeveria sipas tij ka nisur projektin për Teatrin e Fëmijëve pranë Gardës së Republikës, në hyrje të parkut të Liqenit Artificial të Tiranës.

“Ky projekt ka nisur të marrë formë aty ku është hyrja në parkun e qytetit dhe që së shpejti do të çelë dyert me hapësira dhe një program shumë më të gjerë dhe shumë të larmishëm për fëmijët e të gjitha moshave. Sidoqoftë kjo godinë ka një histori, ka një arsye të rëndësishme për t'u mirëmbajtur dhe për gjithë këtë investim që u bë. Investim që është shumë më shumë seç duket në shikim të parë. Ky teatër nuk kishte ngrohje dhe ftohje qendrore më parë, sot e ka, e kështu me radhë”, tha Rama. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë