Politike

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu tregon si do të jepen pronat e ushtrisë për turizëm dhe si do të bëhen fitimprurëse për shtetin

Nga Gazeta ‘Si’- Ministria e Mbrojtjes është pronari më i madh i pasurive të paluajtshme në vend, me prona në çdo cep të vendit dhe në zonat më të bukura të Shqipërisë.

Por duke qenë se një pjesë e mirë e tyre qendron e pashfrytëzuar, është menduar që ato t’i jepen privatit për t’i kthyer në prona fitimprurëse. Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu nuk ka akoma një listë përfundimtare të këtyre pronave ushtarake, por ideja është e qartë.

Ato nuk do të shiten.

“Po ndjekim një strategji të kujdesshme që, për disa asete që kanë një rëndësi të veçantë ato do të mbeten pronësi e Ministrisë së Mbrojtjes, por do të rikualifikohen për përdorim civil ushtarak, për t’u muzealizuar nga njëra anë dhe për ato hapësira që nuk kanë përdorim ushtarak dhe nuk kanë një rëndësi strategjike, të mund të jepen për shfrytëzim edhe për qëllime turistike, duke mbajtur ne pronësinë, por duke e vënë në përdorim të privatit"- tha Ministri i Mbrojtjes në një intervistë për Gazetasi.al duke përmendur si model Norvegjinë, e cila jep me qira, bën muze, vendos tarifa dhe bileta hyrjeje për prona të Ministrisë së Mbrojtjes që nuk janë për përdorim ushtarak.

"Pronat ushtarake nuk do të shiten", citoi ministri Pirro Vengu

Qëllimi është që prona të mos degradojë derisa të shkatërrohet nga mospërdorimi, të ndihmohet turizmi vendas, por edhe të krijohen shtesë për Ministrinë e Mbrojtjes. Një burim tjetër të ardhurash pritet të jetë edhe rikthimi i industrisë ushtarake, një sipërmarrje për të cilin Ministri Vengu pret konkretizimin fillestar brenda vitit të ardhshëm.

Gazeta Si: Kryeministri Rama lajmëroi pak ditë më parë se një pjesë e pronave të ushtrisë, të cilat nuk përdoren prej saj, do të shërbejnë për turizëm. Si do të funksionojë kjo? Në verë, kryeministri ka lidhur edhe bazën detare të Porto Palermos me turizmin.

Pirro Vengu: Porto Palermo është një aset shumë i vyer, shumë interesant, është një aset ushtarak dhe do të vijojë të mbetet aset ushtarak. Për një pjesë të mirë të pronave, të cilat nuk janë më prona aktive të forcave të armatosura, ku nuk ushtrohet aktivitet ushtarak, janë të degraduara dhe janë në rrezik për t’u degraduar edhe më tej, deri aq sa të mos jenë më të shfrytëzueshme, siç është Porto Palermo, ne po ndjekim një strategji tjetër. Po konsiderojmë këto asete për t’i zhvilluar në një spektër civil-ushtarak, praktikisht, duke muzealizuar një pjesë të hapësirave atje, të hapim aksesin për publikun.

Por kjo nënkupton edhe një rikualifikim të atyre hapësirave, pra edhe një mirëmbajtje, çka lë hapësirë në të ardhmen, që, nëqoftëse nevoja është, të mund t’i rikthehen përdorimit ushtarak. Kështu që po ndjekim një strategji të kujdesshme që, për disa asete që kanë një rëndësi të veçantë, siç është Porto Palermo, apo edhe për asete të tjera të kësaj natyre dhe përmasave, ato do të mbeten pronësi e Ministrisë së Mbrojtjes, por do të rikualifikohen për përdorim civil ushtarak, për t’u muzealizuar nga njëra anë dhe  për ato hapësira që nuk kanë përdorim ushtarak dhe nuk kanë një rëndësi strategjike, të mund të jepen për shfrytëzim edhe për qëllime turistike, duke mbajtur ne pronësinë, por duke e vënë në përdorim të privatit.

Gazeta Si: Është e vërtetë që në Porto Palermo do të ndërtohet një resort turistik, siç janë shfaqur disa plane në media së fundmi?

Pirro Vengu: Nuk ka plane të tilla. Plani është për të rikualifikuar zonën, për t’ia hapur sa më shumë publikut dhe në ato zona nuk ka ndërtime resortesh. Është një pronë që do të mbetet publike. Ne po përpiqemi që të gjitha ato godinat e vogla që janë nga ana e kalasë së Porto Palermos, janë ish godina të degraduara, të mund të gjejmë një model që ato të rehabilitohen, t’i hapen publikut, që të mund të ofrohen shërbime qoftë të natyrës turistike apo të restaurimit. Në këtë mënyrë, mund të jepen edhe me qira dhe Forcat e Armatosura dhe Ministria e Mbrojtjes të gjenerojë të ardhura nga këto asete, që sot janë totalisht të degraduara dhe të papërdorshme. 

Gazeta Si: Sa prona të tilla keni, që mund të vendoset në funksion të turizmit, në çfarëdo lloj forme?

Pirro Vengu: Ekziston një mit që, shpesh, nxitet edhe nga politika, edhe nga opozita, sikur Forcat e Armatosura janë një agjenci real estate. Forcat e Armatosura nuk janë një agjenci real estate. Forcat e armatosura, e vetmja gjë që bëjnë është që përcaktojnë zonat dhe hapësirat ku ato kanë nevojë të ushtrojnë aktivitetin e tyre.  Ministria e Mbrojtjes ka asete të tjera shumë herë më të mëdha sesa asetet ku Forcat e Armatosura ushtrojnë aktivitetin e tyre sot. Kjo na vjen nga një e kaluar, ku kishim një mbingopje të hapësirave publike me asete ushtarake, sepse atëherë konsiderohej i gjithë populli ushtar.

Gazeta Si: Cili është plani juaj për t’i vënë këto prona në shërbim të turizmit? Do t’i jepni me qira, me koncesion, me 1 euro?

Pirro Vengu: Shembuj të ngjashëm me këtë që duam të bëjmë ne ka plot në vendet e NATO-s. Të gjitha vendet e NATO-s, në Ministrinë e tyre të Mbrojtjes, kanë nga një agjenci që i menaxhon pronat, që, në tërësi janë asetet joushtarake. Një model interesant është ai i Norvegjisë, e cila ka një agjenci të tillë. Ajo bën edhe riinvestimin e këtyre pronavë, të cilat nuk kanë më qëllime ushtarake. Ato mund të kenë qëllime civile, mund të përdoren për agjensi të tjera shtetërore, mund të përdoren për qëllime turistike, mund të përdoren për muze, mund të përdoren për aktivitete që nuk janë ushtarake. Dhe këtë e bëjnë në mënyrë aktive, duke gjeneruar të ardhura, duke i dhënë me qira, duke i muzealizuar dhe duke i kthyer në pika turistike, paguhet aksesi, paguhet tarifa, paguhet parking. Të gjitha këto janë të ardhura që i kthehen Ministrisë së Mbrojtjes. Edhe ne këtë logjikë po ndjekim.

Gazeta Si: A keni ecur përpara me objektivin e rikthimit të industrisë ushtarake për të prodhuar në fabrikat dhe uzinat ushtarake, që prej vitesh janë jashtë funksionit?

Pirro Vengu: Kemi një plan të detajuar shumë mirë. Kemi filluar me zbatimin e parashikimeve të ligjit për industrinë ushtarake, i cili u miratua këtë verë. Kemi kaluar një sërë vendimesh në Këshillin e Ministrave në dy drejtime: së pari, për shlyerjen e të gjitha detyrimeve të mbartura nga uzinat ushtarake të së kaluarës, Gramshi, Poliçani, Mjekësi, të cilat kanë kriuar detyrime të konsiderueshme, si ndaj personelit dh eish personelit të tyre, ashtu edhe ndaj bashkive, ku kanë operuar këto uzina. Detyrimi shkon në një vlerë relativisht të lartë, 5.9 milion euro. Ne kemi mbuluar më shumë si gjysmën e kësaj vlerë që këtë vit dhe kemi marë masa që të alokohen fondet edhe për muajt në vijim për pjesën tjetër. Së dyti, kemi themeluar kompaninë shtetërore KAJO, e cila, në fakt është një holding shtetëror, është një kompani mëmë, që rigrupon të gjitha asetet e prodhimit të industrisë ushtarake në vend, Gramshi, Poliçani, Mjekësi dhe kantierin detar në Pashaliman, si 4 ente ku ne synojmë që të rikthehet prodhimi shumë shpejt. Aktualisht, legjislacioni ka ofruar një sërë incentivash, që ndihmojnë investitorë të huaj nga vende aleate që të investojnë në linja prodhimi këtu. Kemi masa mbështetëse dhe lehtësira fiskale, kemi masa mbështetëse përsa e përket sigurisë që do t’u ofrohet këtyre aseteve nga Forcat e Armatosura dhe një sërë lehtësirash administrative që shkojnë në këtë drejtim. Kemi një shprehje interesi prej 21 kompanish ndërkombëtare që vinë të gjitha nga vende aleate, sicc është edhe synimi ynë.

Gazeta Si: Në planin tuaj, çarë do të prodhojë fillimisht industria ushtarake në Shqipëri dhe kur?

Pirro Vengu: Plani është që të fillojmë me faza, fillimisht me municionet. Njëkohësisht me municionet, synojmë të trajtojmë edhe një problematikë të mbartur prej vitesh përsa i përket prodhimit të uniformave, jo vetëm për Forcat e Armatosura, për Policinë e Shtetit, por për të gjitha agjencitë me uniformë që operojnë në Republikën e Shqipërisë. Synojmë, që shteti, përmes kompanisë shtetërore të themeluar, KAJO, të jetë bashkëaksioner. Praktikisht, ne, jo vetëm të prodhojmë, por edhe të gjenerojmë të ardhura dhe të mira publike si Ministri Mbrojtje dhe si qeveri nga këto kompani, duke qenë bashkëaksioner. Ligji parashikon dy mundësi për investitorët.

Njëra është që shteti të mos jetë aksioner, tjetra është që shteti të jetë aksioner, por për të përfituar benefitet dhe lehtësirat e ofruara nga ligji, duhet që shteti të jetë aksioner. Kjo është një praktikë e mirënjohur në të gjitha vendet e BE-së apo të NATO-s. Për ne ka rëndësi, që si Mjekësi, Poliçani, Gramshi apo Pashalimani kanë mundësi që shumë shpejt të akomodojnë aktivitet prodhues. Ne synojmë që në javët në vijim të kemi fillimin e negociatave të para me investitorë të huaj. Këto negociata patjetër që kërkojnë kohë, disa muaj besoj.

Më pas mund të kalojmë në fazën e investimit të linjave të prodhimit. Jam shpresëplotë që kontratat e para, marrëveshjet e para të bashkëthemelimit të firmosen brenda vitit të ardhshëm patjetër, ndërsa, në lidhje me prodhimin, nëse linja e prodhimit investohet relativisht shpejt pas lidhjes së kontratës, mund të them se nuk është e largët koha, kur mund të nisë prodhimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë