Libra

Letërsia si ‘profeci’ e diktaturave

Nga Liridon Mulaj – Aldous  Huxley e shkroi romanin e tij emblematik “Brave new world” në vitin 1931 dhe e botoi atë në vitin 1932. Në periudhën mes dy luftërave botërore kur njerëzimi kishte nevojë për paqe dhe stabilitet më shumë se kurrë. Dhe Huxley sublimonte utopinë si sistem  në romanin e tij, një botë të mirë dhe të paqtë për njerëzimin. Pra një temë utopike krejt e kuptueshme në një kohë tragjike ku lufta e parë kishte lënë pasoja shkatërruese , ndërkohë bota po pregatitej për luftën e dytë.

Në vitin 1945 një tjetër roman distopik me titull “ Kallocain” u botua nga shkrimtarja suedeze Karen Boyle e njohur si pasardhëse e Huxley por dhe si pararendëse e romanit të madh , ndoshta më të madhit  roman distopik në letërsinë botërore  “1984” të shkrimtarit britanik George Orwell. Secili prej këtyre romaneve ishin për kohën  manuale të një bote të parashikuar duke i kthyer autorët e tyre në profetët e një kohë që do të pasonte. Por gjatë periudhës së pas luftës së dytë botërore , kjo lloj letërsie sikur pushoi së qëni interesante. Sepse profecia e tyre tashmë ishte përmbushur.

 Europa perendimore   ishte e zënë duke zbërthyer ekzistencializmin. Amerikano latinët sapo kishin krijuar zhanrin e tyre, realizmin magjik. Europa lindore  lëngonte nën kthetrat e letërsisë së soc -realit  , e po ashtu dhe Kina ku letërsia komformiste i kishte vënë në rresht autorët pro diktaturës.  Shkrimtarët disidentë ishin ata që mbanin gjallë një luftë e cila transportohej nga jeta reale në libra.

Rikthimi i distopisë në letërsinë botërore, çfarë paralajmëron?

Letërsia e mirë bashkëkohore së paku prej vitit 1950 trajton kryesisht tema ku në qendër është njeriu dhe dilemat e tij krejtësisht individuale. Muri i Berlinit dhe perdja e hekurt që ndante Europën lindore nga ajo perendimore, e orientuan letërsinë drejt disidencës. Autorët e parë që u evidentuan ishin  Milan Kundera,   Cesllav Millosh, , Boris Pasternak , Aleksandër Solzhenicin e të tjerë të cilët u shndërruan në pikat referuese të letërsisë që ndikonte thuajse gjysmën e Europës dhe jo vetëm. Ndërkohë në Francë, dueli mes Kamysë dhe Sartit se kush e zbërthen ekzistencializmin mori më së  shumti ngjyresa politike. Dhe për shume dekada letërsia rrodhi në këto hulli.  Por me rënien e murit të Berlinit dhe shpërbërjes së  bllokut lindor, letërsia nuk pati më pika reference sepse rehabilitimi moral dhe njerëzor nisi të aplikohej si metodë e centralizuar e qeverive dhe organizmave të ndryshme të atashuara për një lloj sheshimi të së shkuarës.  Dhe letërsia distopike e shkruar në gjysmën e parë të shekullit të 19-të sikur u arkivua përfundimisht si një letërsi thuajse klasike dhe parashikuese, e papërshtatshme për kohërat e reja që po vinin. 

Georgi Gospodinov

Por sot në shekullin e 21-të letërsia duket sikur i është rikthyer zhanrit  distopi-utopi të cilat përbëjnë temat e parapëlqyera të  shkrimtarëve sot në botë duke nisur nga Japonia dhe Kina e deri në  Europën e veriut dhe Ballkan.  Nëntëdhjetë vitë pas romanit të parë utopik të Huxley , shkrimtari bullgar Gerogi Gospodinov, boton romanin e tij “ Kohëstrehim” . Një roman i cili ia doli të vlerësohet me çmimet më të mëdha europiane duke i dhënë famë ndërkombëtare librit por dhe shkrimtarit i cili kishte guxuar të shkruante për një temë tashmë thuajse të harruar.  Romani “ Kohëstrehim” shpalos një botë tashmë të ngopur me liberalizëm e cila kërkon medoemos kthimin e një kohë tjetër ku secili sipas dëshirës zgjedh se në cilën periudhë të jetës do që të  jetojë. Nga dëshira individuale si përshëmbull rikthimi i viteve të rinisë për të moshuarit apo takimet e bijve me prindër që nuk i kishin njohur, përfundon duke e kthyer në trend shtetëror e më pas në referendunm ku secili shtet zgjedh me votë kohën e tij . Romani është modern dhe sentimental dhe  vjen si risi për faktin se nuk trajton temën e së ardhmes por skanon në thellësi shthurjen e një shoqërie të tërë për shkak të eskalimit dhe liberalizmit .  Romani fitoi çmimin “International booker prizë” ( për jo britanikët të përkthyer në anglisht)  në vitin 2023 dhe u përkthye në 36 gjuhë të botës. Po në të njëjtin vit, autori irlandez Paul Lynch fitoi të njëjtin çmim “ Man booker prize” ( për britanikët ) me romanin e tij distopik “ Kënga e profetit”. Një roman i cili përshkruan një lajthitje të supozuar të pushtetit të sotëm në Irlandë dhe shtypjen e popullsisë me anë të arrestimeve dhe vrasjeve masive. Një distopi realiste e shkruar me nje stil brilant dhe tronditës. Nje roman që na mëson sesi nga nje shoqëri e mirëqenies në zemër të civilizimit mund të perfundosh në një diktaturë te pashembullt, të ngjashme me kampet e përqendrimit nazist!

Paul Lynch

Gospodinov dhe Lynch, profetë pa profeci

Nëse  Aldous Huxley e  shkroi romanin për të ndërtuar qoftë dhe në fiction një botë tjetër nga ajo reale. Karen Boyle dhe George Orwell u orvatën të parashikon sistemet dikatoriale që po instaloheshin.  Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Gospodinov dhe Lynch.   Politikbërja është sofistikuar duke shkuar në njëtrajtësi me sofistikimin e shoqërisë. Luftërat e sotme janë kryesisht rajonale dhe nuk kanë ndikime shkatërruese mbi popullsinë e botës.   Dhe së paku prej disa dekadash është interesi ekonomik ai që prevalon mbi interesin për luftë sepse vetë shtetet sot janë kthyer në korporata të cilat orientohen nga financat. Atëherë çfarë është letërsia distopikë sot dhe çfarë paralajmëron ajo? Deri sa dëshira për strehim në një tjetër kohë dhe lajthitja e pushtetarëve mbi popujt e tyre janë deri diku nën fre, romanet e Gospodinov dhe Lynch do të mbeten vetëm trill. Por kjo nuk duhet të na entuziasmojë dhe të na lejojë të mos jemi një shoqëri vigjilente. Fundja edhe Huxley, Orwell dhe Boyle ia lejuan vetes trillimin paçka se realiteti ua tejkaloi shumëfish fiksioneve të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë