Shendet

Sëmundja ‘misterioze’ në Kongo / Cilat janë simptomat, rreziqet dhe numri i të vdekurve. Çfarë dihet deri tani

Zyrtarisht janë 30 të vdekur dhe gati 400 të infektuar kryesisht mosha të vogla OBSH: "Për momentin duhet të flasim për një sëmundje të padiagnostikuar dhe jo për një të panjohur". Rezultatet e para laboratorike priten në ditët në vijim. Shqetësime për një rrezik të mundshëm të transmetimit ndërkufitar, por deri më tani asnjë rast nuk është raportuar në Angola

Gazeta Si – Një sëmundje “misterioze”, ka ngritur alarmin shëndetësor në nivelin më të lartë në Republikën Demokratike të Kongos, pasi Ministria e Shëndetësisë, më 5 dhjetor, zyrtarizoi praninë e një shpërthimi epidemik të ngjashëm me gripin që ka vrarë dhjetëra njerëz në province e KWango-s  javët e fundit.

Një tjetër burim shqetësimi për DRC, tashmë të prekur nga epidemia Mpox (lija e majmunëve), me më shumë se 47,000 raste të dyshuara dhe më shumë se 1,000 vdekje të dyshuara nga sëmundja në vendin e Afrikës Qendrore, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Por çfarë dimë deri tani? Siç shpjegojnë për “Corriere della Sera” nga selia e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Gjenevë, “situata po evoluon vazhdimisht”.

Këtu është një përmbledhje e përgjigjeve të OBSH-së, në dokumentet zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë së Kongos dhe në konferencën për shtyp që Ministri i Shëndetësisë, Samuel-Roger Kamba, mbajti më 5 dhjetor.

Ku ndodhet shpërthimi i epidemisë?

Zonat shëndetësore të prekura janë shtatë nga 30 në zonën shëndetësore Panzi, rreth 755 km në jug-lindje të Kinshasës dhe 480 km nga kryeqyteti i provincës: Makita Panzi, Tsakalapanzi, Kanzangi, Kambandambi, Kasanji, Kiama, Mëiningulu.

Panzi është një rajon i izoluar në provincën Këango, me vështirësi aksesi veçanërisht gjatë sezonit të shirave. U deshën dy ditë që ekspertët e epidemiologjisë të mbërrinin në vend, tha ministri.

Infrastruktura shëndetësore pothuajse nuk ekziston. Popullsia jeton në një gjendje të pasigurt të përgjithshme, duke vuajtur nga mungesa e aksesit në ujë të pijshëm dhe ilaçe, energji elektrike dhe internet.

Shkalla e kequshqyerjes (61%) është ndër më të lartat në vend dhe tashmë dy vite më parë rajoni u godit nga një epidemi e rëndë e etheve tifoide.

Si epidemia e Konzo-s (një sëmundje neurodegjenerative që supozohet se shkaktohet nga toksinat ushqimore), kolera, malaria dhe salmoneloza, shpesh të rënduara nga kequshqyerja e përhapur tek fëmijët dhe adoleshentët.

Kur janë “lajmëruar” rastet e para?

Rastet e para u zbuluan më 24 tetor. “Më 29 nëntor 2024, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u informua për një sëmundje të padiagnostikuar në një zonë të largët të Republikës Demokratike të Kongos (DRC), e cila është përhapur që nga mesi i tetorit duke shkaktuar vdekje të shumta”, thonë nga selinë e OBSH-së në Gjenevë.

Cilat janë simptomat e sëmundjes?

“Simptomat kryesore të vërejtura janë ato të frymëmarrjes: ethe, kollë, rrufë, dhimbje koke dhe dhimbje muskulore. Shumë pacientë paraqiten me kequshqyerje dhe anemi, por kjo mund të pasqyrojë gjendjen e përgjithshme shëndetësore të popullatës, pasi rajoni përjeton norma jashtëzakonisht të larta të kequshqyerjes”, përgjigjet OBSH.

Cila mund të jetë origjina?

Për momentin, në pritje të rezultateve laboratorike për mostrat e gjakut të marra nga popullata e infektuar, nuk dihen shkaqet.

“Kjo është një zonë e largët me kapacitet të kufizuar për sa i përket laboratorëve dhe objekteve shëndetësore (nuk ka laboratorë në rajon), gjë që bën të mundur që të jetë një patogjen ekzistues, por ende i padiagnostikuar”, nënvizon OBSH.

“Rezultatet e analizave laboratorike janë ende në pritje, kështu që për momentin flitet për një sëmundje të padiagnostikuar dhe jo për një sëmundje të panjohur. Rezultatet e para do të arrijnë në ditët në vijim nga laboratorët në qytetin e afërt të Kikëit. Testimi do të përfshijë kontrolle për gripin (duke qenë kulmi sezonal në rajon), COVID-19, malarjen dhe fruthin, ndër sëmundje të tjera. Është gjithashtu e mundur që shpërthimi po kap shumë patologji në të njëjtën kohë”.

Ku bëhet transmetimi?

Transmetimi ndodh kryesisht në njësitë familjare. Ekziston një model transmetimi në të cilin prindërit infektojnë fëmijët e tyre ose anasjelltas.

Sa raste dhe vdekje janë regjistruar deri më tani?

Deri më 4 dhjetor 2024, janë raportuar 394 raste totale dhe 30 vdekje zyrtare, (shkalla e vdekshmërisë së rasteve: 7.6%, shton OBSH) që i atribuohet një “sëmundjeje ende të padiagnostikuar”.  Vdekjet u regjistruan midis 10 dhe 25 nëntorit. Megjithatë, dokumenti saktëson se vdekjet e regjistruara janë vetëm ato të njoftuara nga institucionet shëndetësore.

“Kemi regjistruar 27 vdekje në qendra shëndetësore. Dhe me vlerësimin e bërë nga mjeku kompetent i zonës në komunitet kemi raportuar edhe 44 të vdekur”, saktësoi ministri, duke shtuar megjithatë se në këtë të dhënë të fundit, “nuk mund të themi se lidhet menjëherë me fenomenin, sepse ka shkaqe të tjera të mundshme”.

Ndër 27 vdekjet që kanë ndodhur në qendrat shëndetësore, 17 persona kanë vdekur nga probleme të frymëmarrjes dhe dhjetë të tjerët kanë vdekur nga transfuzioni i dështuar në gjendje anemie të rëndë, njoftoi ministri kongolez i Shëndetësisë.

Megjithatë, ka versione të tjera të numrit të përgjithshëm të vdekjeve. Remy Saki, zëvendësguvernator i provincës, i intervistuar nga media gjermane DË dhe agjencia amerikane e lajmeve “Associated Press”, përmendi një numër të ndryshëm, i cili përfshinte, që nga 2 dhjetori, midis 67 dhe 143 vdekje.

Cilat grupmosha janë më të prekura?

“Ndër rastet e raportuara deri më 3 dhjetor, – përgjigjet OBSH, – 63% kanë të bëjnë me fëmijët nën 15 vjeç, të cilët përfaqësojnë edhe 81% të vdekjeve. Midis tyre janë veçanërisht të prekur fëmijët nën 5 vjeç”.

A ka ndonjë rrezik që infeksioni të përhapet jashtë Kongos?

Zona shëndetësore Panzi ndodhet në provincën e Këango, në jug-perëndim të DRC, në kufi me Angolën.

Ky fakt ngre shqetësime për një rrezik të mundshëm të transmetimit ndërkufitar. Aktualisht, asnjë rast me paraqitje klinike të ngjashme me atë të vërejtur në DRC nuk është raportuar në Angola, por rreziku i përhapjes përtej kufirit mbetet. OBSH në Angola është alarmuar dhe po bashkëpunon me autoritetet kombëtare”.

Cilat janë rekomandimet e miratuara për popullatën?

Në pritje të konkluzioneve të hetimeve, Ministria e Shëndetësisë ka rekomanduar masa të frymëzuara nga lufta kundër Covid-19: kufizimi i grumbullimeve, larja e shpeshtë e duarve dhe denoncimi i rasteve të dyshuara. Autoritetet lokale kanë konsideruar gjithashtu kufizimin e lëvizjes së njerëzve në fshatrat përreth për të frenuar përhapjen.

Çfarë veprimesh hetimore kanë nisur?

Nga Gjeneva thonë se “hetimet janë në vazhdim dhe OBSH po dërgon personel dhe furnizime për të mbështetur autoritetet lokale. Zona e prekur është rurale dhe e largët, me akses të vështirësuar nga sezoni i vazhdueshëm i shirave. Për më tepër, rajoni është i rrënuar nga konfliktet dhe normat e larta të kequshqyerjes.

Një ekip kombëtar i reagimit të shpejtë është në terren për të mbledhur mostra për analiza në laboratorë dhe për të kuptuar më mirë situatën epidemiologjike. Rezultatet e para laboratorike priten në ditët në vijim.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë