Drejtësia

Kontrolli në banesën e Veliajt, njoftimi zyrtar i SPAK nuk i përmend emrin kryebashkiakut: Hetimi, në fazën paraprake

Gazeta Si – SPAK ka konfirmuar se ka kryer disa veprime hetimore në shtëpinë e Erion Veliajt, por pa i përmendur emrin kryebashkiakut.

Në një njoftim të shkurtër për mediat, Prokuroria e Posaçme njofton se ka ndërmarrë disa veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal.

Sipas SPAK, “duke qenë se hetimi ndodhet ende në fazën paraprake, nuk mund të publikojmë të dhëna apo informacion të mëtejshëm në këtë moment”.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar informon se janë ndërmarrë disa veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal. Duke qenë se hetimi ndodhet ende në fazën paraprake nuk mund të publikojmë të dhëna apo informacion të mëtejshëm në këtë moment”, – njofton zyrtarisht SPAK.

Sipas burimeve paraprake, kontrolli është kryer në zonën e “Kodrës së Diellit”, ku Veliaj banon me familjen, por duket se kontroll është ushtruar edhe në banesën e vëllait të tij, Arbër Veliaj.

Mësohet se SPAK ka nisur një hetim pasuror për kryebashkiakun e Tiranës. Aktualisht Veliaj ndodhet në Hamburg të Gjermanisë për një vizitë zyrtare, ku ka takuar disa homologë të tij gjermanë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë