Nga Gazeta 'SI' - Qeveria do të zgjasë përsëri afatet e kompensimit të ish pronarëve, përtej afateve të parashikuara në ligjin aktual.
Në një projektligj, ministria e Drejtësisë kërkon që ta shtyjë afatin deri në fund të vitit 2028, pasi është e pamundur realizimi i pagesave deri në 2026-n, siç parashikohet.
Afati për shqyrtimin e aplikimeve për ish-pronarët dhe shtrirja e fondit të kompensimit pritet të zgjasë përtej viteve të parashikuara aktualisht nga ligji në fuqi. Ministria e Drejtësisë ka propozuar një projektligj të ri, me argumentin se Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) nuk mund të respektojë afatet aktuale për përfundimin e shqyrtimit të dosjeve deri në fund të këtij viti dhe realizimin e pagesave deri në fund të vitit 2026.
Sipas draftit, qeveria thotë se janë proceset gjyqësore që po vonojnë kompensimin, pasi Agjencia e Trajtimit të Pronave nuk mund të kryejë asnjë veprim pa një vendim të prerë.
Qeveria argumenton se ndryshimet ligjore të vitit 2022 në ligjin nr. 133/2015 e kanë ngarkuar ATP-në me shqyrtimin e 7000 dosjeve të patrajtuara për njohje pronësie. Deri më tani, ATP ka në proces shqyrtimi 5862 dosje dhe 1197 praktika, nga të cilat vetëm 115 janë përmbyllur me vendim përfundimtar, ose 1.6% e totalit të kërkesave të patrajtuara.
ATP duket se e ka të pamundur të përfundojë procesin sipas afatit për shkak edhe të disa faktorëve të jashtëm që lidhen me plotësimin e dokumentacionit ku disa konfirmime nga institucione të treta kërkojnë 3-6 muaj.
“Duke marrë në konsideratë kohën e mbetur në dispozicion, referuar treguesve të performancës, kapaciteteve të burimeve njerëzore, kompleksitetit të procedimit si dhe kërkesave ligjore për përfundimin e procedimit administrativ, paraprakisht vlerësohet se objektivi ligjor për trajtimin e plotë të dosjeve të patrajtuara brenda datës 31.12.2024, nuk mund të realizohet. Këto përfundime, mbështeten në faktorë të jashtëm dhe të brendshëm, të cilët kanë kushtëzuar vendimmarrjen e ATP-së, duke projektuar si objektiv të arritshëm maksimalisht rreth 700 vendime deri në fund të vitit 2024, ose 10% të dosjeve të patrajtuara” thuhet në relacion.
Fondi i kompensimit mbetet 50 miliardë lekë, por vetëm është rishikuar shpërndarja e vlerës së mbetur e pa alokuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.