Nga Gazeta Si- Ndërkohë që prindërit, nxënësit dhe qytetarët protestonin para Ministrisë së Arsimit për vdekjen e 14-vjeçarit Martin Cani, duke kërkuar që ministria të mbajë përgjegjësi për rastin, Kryeministri Edi Rama ka nisur dje pasdite konsultimin me një grup prindërish në lidhje me propozimin për ndalimin e TikTok dhe Snapchat. Nga shkolla “Sami Frashëri”, Rama tha se ka një projekt të nisur prej një vit dhe deri në fund të dhjetorit do të firmoset edhe marrëveshja.
“Bëhet fjalë për sistem të ri të monitorimit të shkollave me teknologji dhe financim i konsiderueshëm që do ta marrim përmes një marrëveshjeje me Emiratet e Bashkuara. Sistem i testuar në Emirate me rezultate të jashtëzakonshme që mundëson ndjekjen në kohë reale me kamera të të gjithë procesit mësimor dhe jetës brenda oborrit të shkollës duke bërë thjeshtë një kërkesë në shkollë”, tha Rama.
Ndër të tjera, Rama tha se “do të vendosim kontroll digjital të hyrjeve dhe daljeve nga shkolla, për çdo lloj mjeti metalik apo telefon, në mënyrë që të zbatojmë strikt rregullin e vendosur”.
Rama tha se jetojmë në një botë që ka hyrë në një autoritet tjetër që është autoriteti i telefonit dhe vendosja e filtrave në rrjetet sociale nuk mund të jetë një zgjidhje.
“Filtrat që të detyrojnë të vendosësh moshën dhe identitetin, të fusin në rrugica të tjera pasi menjëherë kërkon vendosjen e të dhënave dhe kjo bie ndesh me politikat e kompanive ku duhet të ruhet identiteti. Filtrat janë larg së qeni zgjidhja. Australia që po mendon të bëjë këtë, nuk e ka zgjidhjen si duhet të bëhet gjithë kjo. Vendosja e bllokimit total është zgjidhja më e mundshme”, tha Rama, duke shtuar se kjo nuk është zgjidhja e problemeve, por është një element që "mund të na sjellë në një ngushtim të rëndësishëm të hapësirës që e stimulon, e frymëzon, e nxit dhunën, bullizmin dhe budallallëkun në përgjithësi".
Prindërit: Kemi propozime që kërkojnë ndryshime ligjore
Benard Shehu, një nga prindërit që ishte pjesë e takimit tha se prindërit kanë shumë propozime dhe për të shkuar në realizimin e këtyre propozimeve duhet të bëhen edhe ndryshime ligjore.
“Do ishte e udhës që të mblidhemi cdo muaj që të hsohim të gjitha propozimet që ne prindërit kemi. Janë shumë dhe kërkojnë përpunim ligjor. Duhet një bashkëpunim dhe të jetë i përhershëm”, tha Shehu, duke shtuar se një nga pikat më kryesore dhe më të rëndësishme është siguria.
Ai shtoi gjithashtu se duhet të fuqizohet edhe roli i figurës së mësuesit.
“Mësuesit janë të çarmatosur dhe ky është një problem. I kemi mëshuar shumë të drejtave të fëmijëve por duhet të mbrohet edhe mësuesi”, u shpreh Shehu.
Gjatë detyrës së tij si drejtues i këshillit të prindërve, Shehu tregon se ka parë se është e nevojshme implementimi i masave ndaj fëmijëve problematikë.
“Kjo është e vështirë sepse prindërit nuk e pranojnë ndaj duhen bërë rregullime ligjore që këto masa të implementohen më lehtë. Edhe prindërit duhet të dënohen. Duhet të përgjigjen për fëmijën problematik. Një prind duhet të mësohet si prindërohet kur ka një fëmijë problematik”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.