Nga Gazeta Si - Për 5 ditë me radhë, dashamirësit e librit do të mund të mblidhen në atë që cilësohet si ngjarja më madhore e librit, Panairi.
Shtëpitë botuese sjellin libra të rinj, me tema nga më të ndryshmet, me shkrimtarë që janë bërë pjesë e historisë por edhe shkrimtarë që presin të bëhen pjesë e historisë.
Në puntatën e parë të edicionit të dytë të “T’pa thana”, ishin të ftuara 4 botuese të cilat ia kanë dedikuar jetën librit.
Irena Toçi (Toena), Aida Baro (Pegi), Elda Vela (MediaPrint) dhe Ana Shkreli (Berk) treguan në podcast titujt e rinj që vijnë në këtë panair, por edhe vështirësitë që hasin, nga tregu e deri te pyetjet pa përgjigje si “pse shqiptarët preferojnë më shumë shkrimtarët e huaj?”.
Aida Baro, kryeredaktore e shtëpisë botuese “Pegi” tha se Panairi është i përkthyesve, duke qenë se prurjet më të mëdha janë nga gjuhët e tjera, nga letërsia e botës.
“Shtëpitë botuese janë kryesisht të përqendruara tek përkthimet dhe gjen përkthime që nga librat rozë tek romanet e tjerë. Padyshim është një panair i përkthyesve siç ka qenë ndër vite. Për fat të keq, letërsia shqiptare botohet shumë por jo gjithmonë është cilësore dhe jo gjithmonë lexuesit shqiptarë e preferojnë letërsinë shqipe”, tha Baro, duke shtuar se dilema e saj ndër vite është se pse lexuesit shqiptarë nuk zgjedhin autorë shqiptarë dhe gjithmonë preferojnë një letërsi që është pak më larg nesh.
“Ndoshta sepse duan ti largohen realitetit ose ndoshta autorët shqiptarë nuk shkruajnë në lartësinë e autorëve të huaj por ka plot libra të huaj që nuk janë në lartësinë e autorëve shqiptarë. Thjeshtë nuk i kam dhënë dot zgjidhje”, tha ajo.
Baro foli për librin më të ri të Tom Kukës, “I rënë nga qielli”, që sipas saj, ia vlen të lexohet.
“Është një histori e vërtetë. Kur e lexon librin nuk duket sikur je brenda një ngjarje të vërtetë. Bëhet fjalë për një grup amerikanësh që vijnë në ‘97 për të zbuluar eshtrat e aviatorëve të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Çdo gjë këtu ishte në kaos dhe një shqiptar i vetëm është me këta të huaj. Gjithmonë ka kthim në të shkuarën. Personi e ka makth këtë ngjarje pasi avioni ka rënë sipër shtëpisë së tij dhe ka shuar familjen ku ai banonte. Ai ishte thjeshtë një hyzmeqar në atë kohë, 14 vjeç. Gjithë dashurinë e tij për të jetuar e hedh në këtë shtëpi, që e rindërton dalëngadalë dhe duke pasur një kujdes shumë të veçantë për njërin nga të rënët që e ka varrosur aty dhe gjatë gjithë kohës përpiqet që “varrin” e tij ta mbajë mirë”, tregon Baro shkurtimisht për këtë libër.
Një tjetër libër që mund të gjeni në Panair është edhe libri i Elvira Dones, “Jeta e shkurtër e Lukas Santanës”, një libër tronditës dhe e vë theksin tek e drejta e njeriut për të jetuar.
Është një gangster i vogël që dënohet me vdekje për një krim që ai nuk e ka kryer. Në libër rrëfehen të gjitha përpjekjet e tij për të shpëtuar nga dënimi, depresioni që kalon, dëshira për të jetuar dhe brenga për jetën, pasi e di se nuk ka bërë një jetë të kulluar por gjithashtu e di edhe se nuk ka vrarë.
Kjo është një histori e vërtetë që vetë shkrimtarja e ka ndjekur.
Por, sa të lehtë e kanë lexuesit të gjejnë libra për të blerë?
Ana Shkreli nga shtëpia botuese BERK thotë se në Tiranë, libri është një mall “luksi”, duke qenë se janë vetëm 7 librari, të vendosura të gjitha në një rreth të ngushtë.
“Kjo do të thotë se qasje në librari kanë vetëm ato njerëz të cilët kanë aksesin për të banuar në qendër apo afër. Më e mira do të ishte që çdo zonë duhej të kishte librarinë e vet”, thotë Shkreli.
Ajo tregon se shtëpia botuese ka 4 botime të reja që prezantohen në panair, duke vënë theksin tek letërsia feministe, që sipas saj, është pak prezente në vendin tonë.
“Për hir të tregut, të kufizimeve të ndryshme që ne kemi, ka shumë pak teori feministe, letërsi feministe që përkthehet. Një nga këto raste është ‘Vegjetariania’ e Han Kang që dua ta kujtoj këtu pasi është një punë shumë e mirë që Onufri e ka sjellë. Në shqipëri u hap një debat mbi Han Kang pasi shumica e njerëzve nuk e njihnin dhe mendonin se dikush që merr çmimin Nobel duhet ta njohin të gjithë”, thotë Shkreli, e cila shton se BERK e ka parë të nevojshme që ta kemi, që njerëzit ta lexojnë dhe pse jo, të ndikojë dhe tek njerëzit.
Ndërkohë, Elda Vela, botuese e Mediaprint tregon se lista e librave artistike është shumë e gjerë.
“Përpiqemi që të sjellim libra jo vetëm për lexuesit shqiptare por edhe për turistët dhe kemi libra që i kemi përkthyer në 4 gjuhë”.
Vela tregon se nga Panairi pret që të ketë lexues port ë vëmendshëm, kritik, pasi për të, kjo është më e rëndësishme se të ardhurat monetare.
Vela veçon librin e Kamala Harris, që shkon përtej zgjedhjeve të fundit në Amerikë.
“Është një libër i mirë për këdo. Është një libër që të bën të reflektosh, sidomos për temën e patriotizmit”, tregon Vela.
Gjithashtu, Vela tregon se kanë sjellë edhe libra të shëndetit mendor.
“Një libër që mendoj se do jetë suksesi i këtij panairi është “Si të mposhtim ankthin”. Është shkruar nga një psikologe prej 20 vitesh, Fleura Shkëmbi. Jam munduar të sjell autorë që nuk janë rastësisht autor të këtyre librave por që janë kompetent në fushat që kanë shkruar”, thotë Vela.
Çfarë ka ndryshuar nga panairi?
Irena Toçi botuese e Toena-s, një nga themeluesit e panairit të librit thotë se shumë gjëra kanë ndryshuar, që nga mungesa e emrave të mëdhenj të letërsisë shqipe.
“Është ndjerë mungesa e tyre gjatë viteve. Janë emra të mëdhenj të letërsisë shqip të cilët i kemi humbur”, thotë Toçi, duke shtuar se megjithatë, ka diçka që nuk ka ndryshuar asnjëherë.
“Është atmosfera që krijon ky panair, krijon energji pozitive që nuk e krijon asnjë aktivitet tjetër. Në panaire kemi një fenomen të bukur, i kemi të frekuentuar nga të rinjtë dhe sot është e vështirë ti bësh për vete por edhe entuziast për një zhvillim rreth tyre”, thotë Tocci.
Ajo tregon se një nga autorët që sjell shtëpia botuese këtë vit është një libër i Fatos Kongolit, i cili këtë vit ka një libër në dukje të vogël sepse ka pak faqe por ka një filozofi jete aty brenda, ku dalin në pah problematika që kanë nevojë për një përgjigje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.