Qeveria nuk ka nevojë për para dhe kjo është arsyeja e ngadalësimit të tregut të titujve me vlerë.
Në raportin e Politikës Monetare, Banka e Shqipërisë thekson se rënia e yield-eve të titujve vjen si pasojë e një kërkese më të lartë nga investitorët se sa nevoja e qeverisë për financim. Pritjet për një klimë financiare pa rreziqe, kanë ndikuar gjithashtu në reduktimin e interesit për investimin në borxhin e qeverisë.
Ulja e yield-eve është shtrirë tek të gjitha maturitetet, por me një prirje lehtësisht më të madhe tek ato afatgjatë dhe qëndron shumë pranë normës së interesit.
Yield-i i bonove 12-mujore zbriti në 3.1% në muajin shtator nga 3.5% në tremujorin e dytë, ndërsa primet e obligacioneve 3, 5, 7, 10 dhe 15-vjeçare regjistruan një ulje prej 0.3 p.p. në këtë periudhë.
Ndërkohë, në të njëjtin raport BSH thekson se qeveria po përjeton suficitin fiskal më të lartë në histori, 3.7% e PBB-së ose 69 mld lekë.
Në raportin e fundit, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare raportoi një rënie vjetore me 22.7% të transaksioneve në letrat me vlerë, duke dëshmuar kështu një zbehje të interesit për këtë lloj investimi.
Pak ditë më parë, në komisionin e Dezinformimit, Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko, tha se ka një interes të shtuar të të huajve për borxhin e qeverisë shqiptare, duke e vlerësuar si një zhvillim pozitiv për tregjet financiare të vendit. Për deputetin socialist Erion Braçe, ky zhvillim është shqetësues dhe kërkoi një analizë të origjinës së investitorëve nga Banka e Shqipërisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.