Nga Gazeta Si - Përfaqësuesit e shoqatave të personave me aftësi të kufizuar ishin pjesë e Komisionit për Çështjet Sociale ku shprehën pakënaqësitë e tyre në ndarjen e buxhetit 2025.
Eduard Shehu nga shoqata për mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuar tha në Komision se prej vitesh, në takimet e tyre me qeverinë flitet për të njëjtat problematika, që sot e kësaj dite, nuk kanë marrë zgjidhje.
Një nga problemet që shtroi Shehu ishte pagesa për ndihmësin personal.
“Në shumicën e rasteve, janë nënat që detyrohen të kujdesen për fëmijët e tyre me aftësi të kufizuar dhe kjo periudhë nuk u njihet si vite pune. Kemi kërkuar prej vitesh që të njihen si vite kujdesi në mënyrë që të paktën të mos i kenë vite të humbura kur të shkojnë në moshën e pensionit”, tha Shehu.
Gjithashtu, Shehu ngriti edhe problemin e aksesueshmërisë së personave me aftësi të kufizuar.
“Kemi shumë probleme me aksesueshmërinë dhe vazhdojmë ndërtojmë institucione që nuk respektojnë standardet e aksesueshmërisë. Ndër to ka dhe institucione shëndetësore. Ndërtohen dhe në fund, një person me aftësi të kufizuar e ka të pamundur qoftë dhe thjeshtë të futet brenda për të marrë një shërbim”, tha Shehu.
Abdulla Omuri, kreu i Shoqatës së Invalidëve të Punës në Shqipëri tha se për paraplegjikët, është stërmundim që të marrin edhe një karrocë nga qeveria.
“Për të marrë një karrocë duhet të shkosh dhe të aplikosh dhe në fund të presësh derisa të miratohet kërkesa jote. Asnjë qytetar nuk e ka mundësinë që të presë aq shumë”, tha Omuri, duke shtuar se mosha mesatare e invalidëve të punës është 48.2 vjeç dhe janë rreth 70 mijë invalid në total.
Ai foli edhe për pensionin që marrin, duke shtuar se që prej 2013 u është premtuar një shtim prej 1 mijë lekësh por ende nuk ka ndodhur.
Edhe përfaqësuesit e personave të verbër ngritën shqetësimin e pagesave të verbërisë, duke thënë se prej vitit 2009, ka pasur vetëm indeksim jo të plotë dhe asnjë rritje të pagesës/
Përfaqësuesit thanë se shërbimet për aftësinë e kufizuar janë vlerësuar me zero, duke përmendur rastin e ndërtimit të një qendre, të vetmes në Shqipëri për personat e verbër por prej 2014, kur mbaruan punimet, ajo qendër nuk është vënë në punë.
“Kryhen vetëm takime që i financojnë vetë shoqatat. Në momentin që u ndërtua, qeveria ndaloi financimin për të, duke e lënë të pa aksesueshme”.
Një i verbër nuk ka akses fizik në asnjë nga rrugët.
Nga skema e Aftësisë së kufizuar do të përfitojnë 91 mijë e 240 qytetarë me AK me vlerë 15 miliardë lekë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.