Art dhe Kulture

Përkujtohet Lasgush Poradeci, liriku i letërsisë shqipe

Më 12 nëntor 1987, u nda nga jeta poeti Lasgush Poradeci.

Lindi në gjirin e familjes Gusho, më 27 dhjetor 1899 në Pogradec. U quajt Llazar, ndonëse do të arrinte përjetësinë në sajë të emrit të tij të penës. Në moshën 10-vjeçare ndoqi mësimet në Manastir dhe më pas u zhvendos në Athinë, ku mbaroi liceun. Në vitin 1921 iu drejtua Rumanisë për të vijuar me studimet e larta. Në Bukuresht, u përfshi në radhët e lëvizjes atdhetare të kolonisë shqiptare dhe iu besua detyra e sekretarit të përgjithshëm.

Vepra poetike e Poradecit është një triptik që i këndon lirisë, dashurisë dhe liqenit. Në vitin 1933, u botua vëllimi i parë i poetit “Vallja e yjeve” dhe më 1937-n, u publikua vëllimi pasues “Ylli i zemrës”. Ndër të tjera, Poradeci shkroi poemat “Ekskursioni teologjik i Sokratit”, “Mbi ta” dhe “Kamadeva”.

Lasgush Poradeci përktheu disa nga kryeveprat e letërsisë botërore, sikurse: “Eugjen Onjegini” të Pushkinit, lirikat e Lermontovit, të Bllokut, Poemat e Hajnes, të Majakovskit e Miçkieviçit, lirikat e Gëtes dhe Hajnes, poezi të Lanaut, Brehtit, Hygoit etj.

“Të rite e viteve të mi”, “Fryn Veriu”, “Foli nëna me vajtim”, “Mall’i vjershëtorit”, “Kroj’i fshatit tonë” dhe “Kush ta fali bukurinë”, janë disa nga poezitë e Poradecit që u hodhën në pentagram.

Viti 2024 u shpall prej Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit si Viti i Lasgush Poradecit, në 125-vjetorin e lindjes së poetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë