Nga Gazeta Si- Megjithëse jetëgjatësia është rritur, shqiptarët teksa moshohen përballen me një sërë sëmundjesh të cilat u ulin cilësinë e jetës.
Faktet e sjella nga një studim i kryer nga ekspertë të shëndetit publik, tregojnë se një qytetar shqiptar 65 vjeç pritet të jetojë mesatarisht 18 vite të tjera, megjithatë, në shumicën e viteve të mbetura mund të ketë probleme të mëdha shëndetësore.
Sipas ekspertit të ISHP-së, Alban Ylli, rënia e normave të lindshmërisë, rritja e jetëgjatësisë dhe veçanërisht migrimi i popullsisë në moshë riprodhuese janë faktorët kryesorë të plakjes së shpejtë të Shqipërisë.
“Ndërkohë që popullsia shqiptare po plaket me shpejtësi, Shqipëria po përballet me një sfidë të afërt për të siguruar aksesin në shërbime të kujdesit afatgjatë të përballueshëm dhe cilësor për të gjithë të moshuarit në nevojë. Kujdesi i integruar social dhe shëndetësor, i cili përfshin mbështetjen në shtëpi dhe në komunitet, është rruga kryesore për vendin’, thotë Ylli.
Të moshuarit, ‘barrë’ për sektorin publik shëndetësor
“Vështirësitë më të zakonshme në jetën e përditshme lidhen me ecjen ose ngjitjen e shkallëve (16% për femrat dhe 11% për meshkujt), e ndjekur nga shikimi dhe dëgjimi. Sistemi shëndetësor po ndjen rritje të barrës”, thotë doktor Alban Ylli.
Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Shëndetit Publik, në 8 vitet e fundit numri i vizitave të kujdesit shëndetësor parësor për të moshuarit është rritur me më shumë se 20% (nga 1.883.005 në 2.284.014 vizita në vit).
Në të njëjtën periudhë numri i shtrimeve në spitale për të moshuarit është rritur me gati 60%.
Të dhënat e anketës ‘MOSHA 2018’ treguan se 57% e të anketuarve dhe 31% e të diagnostikuarve, kishin probleme me hipertensionin dhe diabetin.
‘Shumë patologji janë të përhapura dhe një sondazh i kryer tregoi se rreth 45% e personave 65-75 vjeç kanë 2-3 diagnoza dhe 15% kishin të paktën 4. I njëjti sondazh tregoi se pothuajse 35% e të moshuarve kishin të paktën një vështirësi në pesë aktivitete të jetës së përditshme”, thotë doktor Ylli.
Depresioni tek mosha e tretë, 1 në 4 persona shëndet të dobët mendor e fizik
Sipas të dhënave jo zyrtare që raportojnë ekspertët e shëndetit publik, depresioni është problemi më i zakonshëm, me më shumë se 1 në 4 persona të moshuar që rezulton pozitiv me depresion.
Në këtë anketë në shumë vende, të moshuarit e Tiranës treguan shëndet më të dobët fizik dhe mendor, si dhe lëvizshmëri më të ulët në krahasim me pjesëmarrësit nga Kanadaja për shembull.
“Në mënyrë sistematike, anketat e popullsisë në Shqipëri kanë treguar se të moshuarit e kategorive më të ulëta socio-ekonomike dhe gratë kanë shëndet më të dobët dhe lëvizshmëri më të ulët’, thonë ekspertët e shëndetit publik.
Vetmia, problem në rritje
Pothuajse 11% e të moshuarve jetonin vetëm në vitin 2023, krahasuar me vetëm 8% në 2011. Gratë e moshuara janë më shumë se dy herë në rrezik për të jetuar vetëm, krahasuar me meshkujt.
Sondazhe të tjera tregojnë një profil të ngjashëm.
Në një studim të 2018, 8% e personave mbi 65 vjeç nuk kishin pasur kontakte me miqtë apo të afërmit gjatë javës së kaluar. Ky raport ishte 25% në mesin e atyre mbi 80 vjeç.
Të moshuarit e varfër, pensionet minimale të ulëta
Edhe varfëria mbetet një sfidë e rëndësishme sociale për të moshuarit në Shqipëri.
Pensioni social është futur në vitin 2015, por pensionet minimale janë shumë të ulëta. Pensioni mesatar në vitin 2024 është 19.000 lekë (190 Euro) dhe ka qenë vetëm 11.500 15 vite më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.