Nga Gazeta ‘SI’ – Rreth 30% e forcës së punës në Shqipëri, me edukim të lartë, ka emigruar.
Shifrat janë bërë publike nga Banka Botërore, e cila e rendit Shqipërinë në vendin e tretë me nivelin më të lartë të largimit të “trurit”.
Vendin e parë e mban Bosnjë Hercegovina me 45% dhe të dytin Moldavia me 30%.
Në afat të shkurtër, emigrimi i popullsisë me aftësi të larta, zvogëlon kapitalin njerëzor në vendet e origjinës, sidomos kur ata që emigrojnë janë më të aftë se ata që qëndrojnë.
Largimi i trurit ndikon në sasinë dhe cilësinë e fuqisë punëtore dhe kapitalit njerëzor të disponueshëm në vendin e origjinës në afat të shkurtër. Rritja dhe konvergjenca e kapitalit njerëzor janë më të ngadalta në vendet që përjetojnë ritme të larta emigracioni, thekson raporti i BB.
Po ashtu, gjen Banka, largimi i punëtorëve me kualifikim të lartë zvogëlon bazën fiskale me ndikime negative në financat publike. Të ardhurat tatimore reduktohen për shkak të aktivitetit të ulët ekonomik, popullsia më e vjetër që mbetet pas ushtron presion mbi pensionet dhe shpenzimet shëndetësore.
Remitancat, megjithatë, mund të rrisin taksat e konsumit, duke ushtruar kështu një ndikim lehtësues.
Humbjet fiskale bëhen më të mëdha nëse emigrantët janë të përqendruar mes punëtorëve të moshës kryesore, me arsim të lartë dhe me të ardhura të larta.
Më herët, një studim i kryer nga ekspertët vendas të qendras Altax, gjeti se emigracioni ka pakësuar me të paktën 12-15% ofertën e punës në treg.
Studimi tregon se dëmi që ka shkaktuar emigrimi masiv i shqiptarëve, nuk amortizohet dot nga dërgesat e parave që ato sjellin në atdhe. Remitancat kanë një ndikim në konsum 7-8% të PBB-së me një ndikim kryesor në ekonomitë e vogla, por pa një peshë ndikuese në rritjen ekonomike formale.0
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.