Nga Ana Schnabl* - Së fundmi pashë filmin e ri dedikuar audiencës mashkullore, “Wolfs”. Nëse mund të arsyetoj veten: isha e sëmurë dhe kisha mungesë të imagjinatës. Nuk më josh kombinimi Brad Pitt-George Clooney, as gjërat tipike “mashkullore” – vërtitjet me xhaketa lëkure, ngarja e makinave (me shpejtësi), batutat egomaniake kuazi-ironike. Sikur të mos ishte për portretizimin e “shqiptarëve” dhe “kroatëve” dhe i mafieve të tyre rivale, mund të kisha rënë në gjumë.
Shqiptarët futen në film si një grup tipash të mëdhenj dhe me armë; mbarojnë shpejt, për më pak se një minutë. Kroatët, nga ana tjetër, paraqiten më hollësisht në një skenë më të gjatë të një dasme kroate.
Filmi është një realizim që harrohet lehtë; megjithatë, shfaq diçka po aq të vjetër sa vetë Hollivudi dhe kjo nuk duhet neglizhuar. Pas shumë viteve të portretizimit “të të tjerëve” përmes amerikanëve autoktonë, afro-amerikanëve, japonezëve, kinezëve, meksikanëve, rusëve dhe të tjerëve (me qëllim), Hollivudi tani ka vendosur të shënjestrojë njerëzit e Ballkanit.
Shqiptarët dhe kroatët janë zgjedhur sepse, për Hollivudin, ata nuk janë të bardhë ose nuk janë mjaftueshëm të bardhë. Ajo që konsiderohet si “jo mjaftueshëm të bardhë” lidhet ose me historinë e kolonializmit ose me historinë e regjimeve komuniste; ndonjëherë, siç është rasti i shqiptarëve dhe kroatëve, historia e tyre përfshin të dyja këto kushte.
Besoj se, në Hollivud, historia e Ballkanit kuptohet ashtu siç e kupton psikologu kanadez dhe mendimtari konservator, Jordan Peterson. Në një aktivitet në Lubjanë në vitin 2018, ai deklaroi se ishte hera e parë që mbante leksion në një vend që dikur ishte “i izoluar prapa Perdes së Hekurt”. Përveçse ishte tërësisht e gabuar – Sllovenia nuk ishte asnjëherë prapa asaj që quhej Perdja e Hekurt – deklarata e Petersonit ishte simptomë e perceptimeve perëndimore për historinë e sistemeve komuniste dhe socialiste. Për Perëndimin dhe zërin e tij më të fuqishëm, Hollivudin, komunizmi dhe socializmi janë të barasvlershëm me Luftën e Ftohtë dhe me stalinizmin.
Historia e Jugosllavisë, e federatës së dikurshme së cilës i përkiste Sllovenia, rrallë kuptohet siç duhet. Jugosllavia ishte socialiste, por jo staliniste. Në fakt, Jugosllavia u shkëput nga sfera e ndikimit sovjetik në vitin 1948 dhe u bë një nga themelueset e Lëvizjes së të Painkuadruarve. Por, kjo nuk ka rëndësi për industrinë amerikane të filmit, pasi komunizmi dhe socializmi janë dy fenomene që ajo thjesht pëlqen t’i urrejë.
Kjo bazë ideologjike – dhe besimi perëndimor se ish-vendet komuniste janë të pushtuara nga kriminelët – e bëri të lehtë dhe logjike paraqitjen e shqiptarëve dhe kroatëve në “Wolfs” si të egër të paparashikueshëm dhe për këtë arsye si terroristë/armiq/keqbërës të rrezikshëm.
Megjithatë, diku gjatë gjysmës së filmit, etnitë e zgjedhura duhej të përkufizoheshin. Kështu, të gjitha paragjykimet e stisura për njerëzit nga Ballkani, të cilët kryesisht konsiderohen sllavë, u përfshinë në skenarin, kostumet dhe ambientin e filmit. Në sytë e Hollivudit, sllavët zakonisht shihen ose duke kërcyer në gjunjë ose duke vallëzuar në rreth, ose janë të dehur, të zhurmshëm apo melankolikë, pastaj agresivë në aspektin verbal ose fizik dhe, sigurisht, të korruptuar.
Për më tepër, në “Wolfs”, të “tjerët” paraqiten si njerëz të së kaluarës, njerëz me tradita të stisura. Prandaj, në dasmën e tyre do të ketë vetëm burra që vallëzojnë në rreth, ku babai do të jetë një patriark i vërtetë dhe nusja një grua e brishtë që ka nevojë për mbrojtje. Jam e kënaqur që asnjë nga të ftuarit e dasmës nuk valëviti flamurin kroat; të paktën shikuesit u kursyen nga paragjykimi se, mbi të gjitha, sllavët janë nacionalistë të thekur.
Mos më keqkuptoni. Nuk ishte zemërimi që më shtyu të shihja filmin “Wolfs”, por ishte habia. Ky nuk është vetëm një produkt tipik i Hollivudit, por gjithashtu një që tregon ashiqare se si funksionon në të vërtetë korrektësia politike neoliberale e Hollivudit.
* Ana Schnabl është shkrimtare dhe kritike sllovene
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.