Nga Gazeta 'Si'- Për rreth 1 orë, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka dëshmuar këtë të premte në SPAK në lidhje me dosjen e rihapur tashmë të "21 Janarit".
Pasi ka dalë nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, Tahiri ka thënë se ka dhënë deklarime për “21 Janarin” si kallëzues, por edhe në cilësinë e protestuesit gjatë kohës kur PS ishte në opozitë.
"U pyeta për rolin që kam pasur në datë 21 janar dhe për kallëzimin që kam bërë në vitin 2015. Kam qenë protestues në atë kohë, pjesa tjetër i takon hetimit. Është një ngjarje që duhet zbardhur dhe shpresoj shumë", tha Tahiri.
Tahiri u thirr nga prokurorët e posaçëm si person që ka dijeni mbi rrethanat e çështjes dhe si një nga organizatorët e protestës së 21 Janarit, gjatë kohës kur PS ishte në opozitë.
Në atë periudhë, ish-ministri ka qënë një nga tre personat kryesorë të organizimit të demonstratës dhe të hetuar nga Prokuroria e Tiranës, së bashku me Tom Doshin dhe Besnik Baren, hetim i cili u pushua.
Një ditë më parë, për të njëjtën çështje, Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion mori në pyetje deputetin e Partisë Socialiste Xhemal Qefalia, i cili tha se u pyet i protestues.
Më herët në SPAK kanë dëshmuar ish-funksionarë të lartë të asaj kohe të PD, që nga ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, te ish-kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj dhe zëvendësi i tij, Agron Kuliçaj.
Më 21 Janar 2011 u vranë 4 protestues të opozitës në bulevard dhe jashtë rrethimit të Kryeministrisë. Të pandehur kanë qenë gardisti Agim Llupo, për vrasjen e Ziver Veizit, dhe Hekuran Dedës, si dhe Ndrea Prendi, ish-komandanti i Gardës. Pa zbardhur dhe në proces hetimi është vrasja e Aleks Nikës, teksa një prej viktimave ishte edhe Faik Myrtaj.
Hetimi për çështjen “21 janari” u regjistrua në SPAK në korrikun e këtij viti, në zbatim të një vendimit të Gjykatës së Lartë, që urdhëronte Strukturën e Posaçme të hetonte kallëzimin e bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës, ndaj Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe Ndrea Prendit, zyrtarë nën juridiksionin e SPAK.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.