Politike

Rama takim me shqiptarët në New York: Pranverën e ardhshme dua votën tuaj! Hoqëm duart e pushtetit politik nga drejtësia, pavarësisht kostove

Nga Gazeta Si- Në takimin me shqiptarët e New York-ut, kryeministri Edi Rama foli gjatë për reformën në drejtësi, ku nuk la pa përmendur disa herë se drejtësia e re ka goditur edhe socialistët.

Rama tha se sot Shqipëria po jeton kohën ku nuk janë më të fuqishmit mbi ligjin.

“Historia e partisë në pushtet që kontrollon drejtësinë ka marrë fund. Hoqëm duart e pushtetit politik nga drejtësia. E bëmë me vetëdijen e plotë për koston e pashmangshme politike të goditjeve që drejtësia po jep edhe në radhët tona' tha Rama.

Ai shtoi se gjithë shqiptarët edhe nëse s’janë historianë, dinë aq histori, që të shohin se qysh prej 1912, “për herë të parë në histori njerëz të veshur me pushtet politik, apo të lidhur me pushtetin polik i janë nënshtruar forcës së ligjit të barabartë për të gjithë, pavarësisht pozicionit, apo lidhjes së tyre me partitë qoftë në qeveri apo opozitë. Kurrë më parë në histori, një individ me profil të lartë politik, nuk është hetuar, gjykuar apo dënuar nga një gjykatë e pakontrolluar nga politika. Të gjithë ata që janë dënuar më parë që nga ministrat e kohës së diktaturës deri te Fatos Nano, kanë qenë të dënuar politikë të një drejtësie qoftë në diktaturën komuniste apo demokracinë fëminore shqiptarë, ka qenë e urdhëruar nga partia në pushtet”, tha Rama.

"Askush nuk është më i paprekshëm dhe cilido që kërkohet nga drejtësia nuk merr asnjë lloj mbrojtje politike nga ne. Ky është investimi më i madh polik i PS. Barazia para ligjit vlen njësoj si për qytetarin si për kryeministrin e vendit", vijoi Rama.

Ky është takimi i parë me diasporën pas vendosjes të së drejtës së votës për çdo shqiptar jashtë Shqipërisë, për të zgjedhur drejtimin dhe udhëheqjen e vendit për katër vitet e ardhshme duke votuar nga aty ku banon jashtë atdheut.

Në takimin me shqiptarët e Amerikës, Rama iu kërkoi mbështetjen me votë në zgjedhjet e 2025 për të çuar para integrimin e Shqipërisë në BE.

"Në pranverën e ardhme dua votën tuaj nga Amerika për ta bërë Shqipërinë 2030 anëtare të BE. Për të ngritur flamurin e Skënderbeut, Ismail Qemalit në BE, krah për krah flamujve të tjerë të familjes së madhe euriopiane. Sot është dita për ta bërë së bashku historinë. Ky është premtimi i premtimeve", tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë