Gazeta Si - Ish-zv.drejtori i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, është paraqitur këtë të enjte në SPAK për të dhënë deklarime për çështjen e “21 Janarit”.
Pas rihapjes së hetimeve, Prokuroria e Posaçme ka nisur të thërrasë për të dëshmuar mbi këtë çështje ish-zyrtarë të ndryshëm të kohës.
"Dhashë shpjegimet e mia në lidhje me 21 janarin. Shpjegova të gjitha veprimet e policisë në ditën e ngjarjes. Nuk mund të flas më tepër për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor", tha Kuliçaj, pasi doli nga SPAK.
Një ditë më parë, dëshmoi kreu i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, i cili deklaroi se kishte zbatuar vetëm ligjin për protestën e opozitës në 21 janar 2011, ku humbën jetën 4 protestues.
LEXO EDHE:
- Hetimet e SPAK, gazetari Artan Hoxha dorëzon audio-përgjimin mes gardistëve para 4 vrasjeve të '21 Janarit': Gjithçka ndodhi në 7 sekonda
- Hetimet për '21 janarin', ish-kreu i policisë, Hysni Burgaj thirret në SPAK: Policia zbatoi ligjin dhe planin e masave
Burgaj u akuzua nga opozita socialiste e asaj kohe se nuk zbatoi urdhër-arrestet e lëshuara nga Prokuroria, që drejtohej nga Ina Rama.
Policia sakaq iu përgjigj akuzave me pretendimin se në urdhërarreste kishte gabime ortografike emrash dhe ishin shënuar me laps.
SPAK rihapi një prej çështjeve më të diskutuara të kronikës, por edhe politikës, duke regjistruar hetim penal për vrasjen e Aleks Nikës, si edhe plagosjen e Artes Dybelit, Ilia Qeskos dhe Ilia Papës gjatë protestës së dhunshme të vitit 2011 para kryeministrisë, ku mbetën të vrarë 4 persona.
Ne kallëzimin e shkurtit 2023, që nuk u regjistrua nga SPAK, vendim që u la në fuqi edhe nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe Apeli i Posaçëm, e veja e Aleks Nikës kallëzoi për “vrasje” dhe “grup kriminal” ish-kryeministrin, Sali Berisha, ish-ministrin e brendshëm, Lulëzim Basha dhe ish-kreu i Gardës, Ndrea Prendi.
Familjarët e Nikës pretenduan se zotëronin një audio-përgjim të komunikimeve të Gardës gjatë momenteve të protestës, ku flitej për hapje zjarri.
Këtë material e dorëzoi në SPAK gazetari Artan Hoxha. Sipas tij, materiali i siguruar prej tij ishte regjistruar me një diktofon nga një person që ditën e ngjarjes kishte akses në kanalin ku komunikonin vetëm drejtuesit e Gardës.
Pas administrimit, kjo provë pritet t’i nënshtrohet akt-ekspertimeve teknike për autenticitetin e më pas për identifikimin e personave të përfshirë.
Kuliçaj është një figurë e lidhur shumë ngushtë me PD-së dhe ish- kryeministrin Sali Berisha. Ai ka qenë fillimisht truprojë e ish-kryeministrit dhe me bekimin e tij u emërua në atë kohë në postin e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.