Drejtësia

Hetimet për ’21 janarin’, ish-kreu i policisë, Hysni Burgaj thirret në SPAK: Policia zbatoi ligjin dhe planin e masave

Gazeta Si - Ish-Drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj është paraqitur këtë të mërkurë në SPAK për t’u marrë në pyetje në lidhje me dosjen e “21 Janarit”.

Pas daljes nga SPAK, Burgaj u pyet nga mediat pse i kishte zbatuar me vonesë urdhër-arrestet e lëshuara nga Prokuroria, pasi bëhet fjalë për të paktën 2 javë kohë.

Ish-kreu i policisë tha se nuk është pyetur për këtë, por këmbënguli se policia ka zbatuar ligjin dhe planin e masave për protestën e opozitës së asaj kohe..

“Atë që di rreth ngjarjeve të '21 Janarit', isha I gatshëm, dhashë atë që di. Plani i masave është 50 faqe, unë s’mund ta komentoj tani. Policia e Shtetit ka pas bërë një plan të detajuar masash për 21 janarin. Ka zbatuar ligjin. Për bashkëpunimin që kemi pasur me të gjitha institucionet e tjera u pyeta dhe kemi zbatuar ligjin”, tha Burgaj.

I pyetur se cilat ishin urdhrat që policia mori nga Ministria e Brendshme për të reaguar pasi protesta doli nga kontrolli, Burgaj tha se “asnjë urdhër nuk kemi pasur për të reaguar”.

“Policia si asnjëherë tjetër në të gjithë historinë e saj ka duruar dhunë ekstreme dhe nuk ka përdorur as armë dhe as dhunë ndaj protestuesve. Urdhërarrestet janë ekzekutuar. Nuk ka kohë policia për ekzekutimin e urdhrave”, deklaroi ai.

Pas protestës së 21 Janarit, Burgaj ai u akuzua nga opozita socialiste e asaj kohe se nuk zbatoi urdhër-arrestet e lëshuara nga Prokuroria, që drejtohej nga Ina Rama.

Policia sakaq iu përgjigj asokohe akuzave me pretendimin se në urdhërarreste kishte gabime ortografike emrash dhe ishin shënuar me laps.

Më 21 janar 2011, në protestën e socialistëve në bulevard, asokohe në opozitë, u vranë 4 persona: Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika.

Partia Socialiste e cilësoi krim shtetëror dhe kërkoi nisjen e hetimeve për të vënë drejtësinë në vend. Për ngjarjen, Gjykata e Tiranës dënoi ish-komandantin e Gardës Andrea Prendi dhe gardistin Agim Llupo

Ndërkohë prej disa muajsh, SPAK ka rihapur hetimet për “21 Janarin”, me vendim të Gjykatës së Lartë, e cila ka pranuar kërkesën e familjarëve të viktimave për rishqyrtim të dosjes..


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë