Drejtësia

Arrestimi i Jurgis Çyrbjes, në kërkim edhe Altin Hajri. Dyshohet se ish-deputeti e strehoi në banesë pas zhdukjes së Jan Prengës

Gazeta Si - Pas arrestimit të Jurgis Çyrbjes, SPAK ka shpallur në kërkim edhe Altin Hajrin pas përgjimeve të dala nga aplikacioni Sky ECC, që vunë në pranga edhe ish-deputetin socialist.

Sipas burimeve paraprake, dyshohet se ish-deputeti ka strehuar në banesë Altin Hajrin kur ishte në kërkim për rrëmbimin e Jan Prengës.

Më herët, Hajri ishte shpallur në kërkim për pengmarrjen e Jan Prengës, ngjarje e ndodhur në 17 janar të vitit 2020.

Sipas prokurorisë, që i është referuar pamjeve filmike, Prenga u mor peng dhe dyshohet se u dhnua për vdekje në resortin e Hajrit në Shijak.

Sipas burimeve paraprake, mësohet se Altin Hajri është i përfshirë në korrupsion në zgjedhje.

ë dielën iu vunë prangat Jurgis Çyrbjes dhe Ahmet Mashës. Ata u arrestuan pas dyshimeve se kanë përdorur Sky ECC dhe kanë bashkëpunuar me një grup kriminal në Durrës.

Jurgis Çyrbja akuzohet për veprat penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, “Përkrahja e autorit të krimit”, si dhe “Tregtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit” .

Vetëm pak ditë më parë Jurgis Çyrbja u mor i pandehur nga SPAK për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

Konkretisht bëhet fjalë për 4 raste të trajtimit të pronave në qytetin e Durrësit, ku ish-deputeti ka mbajtur postin e drejtorit të Hipotekës në vitet 2013-2016.

Këto episode për të cilën ka dyshime se ai ka shpërdoruar detyrën e tij, u zbuluan nga Prokuroria pas denoncimit të deputetit të PD, Edi Paloka, në vitin 2021.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë