Drejtësia

Arrestohet ish-deputeti i PS Jurgis Çyrbja, SPAK: Dyshohet për lidhje me një grup kriminal dhe biseda në ‘SKY’. Mes 3 akuzave, edhe tregtimi i sekretit shtetëror

Gazeta Si - Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja, i cili pak ditë më parë dorëzoi mandatin, është arrestuar këtë të diel me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, jo me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Sipas një njoftimi nga SPAK, Çyrbja akuzohet për 3 vepra penale, "korrupsion aktiv në zgjedhje", "përkrahje e autorit të krimit" dhe "tregtim i sekretit shtetëror nga shtetasit".

SPAK thotë se të hënën do të ketë një njoftim për mediat me më shumë detaje për arrestimin e ish-deputetit socialist.

“Nisur nga interesi i madh i mediave ju komunikojmë se Policia e Shtetit ka ekzekutuar sot masën e sigurimit arrest ne burg të caktuar nga Gjykata e Posaccme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuat ndaj shtetasit Jurgis Cyrbja, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal; “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1/2 të Kodit Penal si dhe “Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit” parashikuar nga neni 295/1 i Kodit Penal. Nesër do të ketë një njoftim për shtyp me më shumë detaje”, thekson SPAK në një njoftim paraprak.

Sipas burimeve, dyshohet që Jurgis Çyrbja të jetë arrestuar në lidhje me hetimet për bashkëpunim me një grup kriminal, ku ishte përdorues i aplikacionit "SKY". Po kështu, mësohet se Çyrbja u arrestua në Durrës, aty ky ka dhe vendbanimin, sapo zbriti nga makina.

Po ashtu, Çyrbja po hetohet nga SPAK edhe për një tjetër procedim, atë për shpërdorim detyre në kohën kur ka drejtuar Kadastrën e Durrësit në periudhën 2013-2016.

Hetimi i Prokurorisë së Posaçme kundër Jurgis Çyrbes për abuzimet në Kadastër nisi pas kallëzimit të deputetit të PD, Edi Paloka.

Sipas burimeve jo zyrtare, mësohet se Çyrbja akuzohet se ka shpërdoruar detyrën, në kohën kur drejtonte Hipotekën e Durrësit, pa e marrë ende mandatin e ligjvënësit.

Në atë kohë drejtues politik i qarkut Durrës, Edi Paloka, ka çuar në SPAK deputetin aktual për “shpërdorim detyre”, për firmosjen brenda të njëjtës ditë të dy praktikave legalizimi për të njëjtën pronë, por në dy emra të ndryshëm, duke realizuar kështu mbivendosje prone.

Nga 2021 deri më sot, ky hetim është udhëhequr nga prokurori i SPAK-ut, Dritan Prençi.

Vetë Çyrbja teksa dha shpjegime për 5 orë me radhë, kur doli nga SPAK deklaroi se nuk ishte marë i pandehur. Por në të njëjtën kohë nuk vuri në dukje në media se kishte kërkuar dorëheqjen nga mandati i deputetit.

Dyshohet se ai ka shpërdoruar detyrën me firmat që ka hedhur në 4 raste mbi pronësinë e gati 25 mijë metra katrorë tokë në zonën e Rrashbullit në Durrës.

Hetimet ndaj tij lidhen me postin e drejtorit të hipotekave në këtë qytet, një detyrë që e mbajti deri në 2017 kur edhe mori mandatin e parë në parlament.

I kallëzuar prej vitit 2021, ai këmbënguli se nuk ka shpërdoruar detyrën dhe se nuk kishte kompetenca të kontrollonte praktikat që i delegoheshin nga vartësit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë