Ngjarje

Grupi i parë i emigrantëve niset drejt Shqipërisë, transferimi në bordin e një anije të marinës italiane

Gazeta Si - Anija “Libra” e Marinës Detare Italiane, është nisur nga brigjet e Lampeduzës drejt Shqipërisë për të sjellë grupin e parë të emigrantëve në qendrat e ngritura në Lezhë për t'iu nënshtruar procedurave të përshpejtuara kufitare.

Në bord u krye një kontroll fillestar i personave që do të transferoheshin pas ndihmës që do t’u jepet në det, për të verifikuar nëse ata plotësojnë kërkesat sipas protokollit ligjor: të ardhur nga vende të sigurta, të jenë meshkuj dhe jo kategori vulnerabël.

Në krye të nismës, është Ministria e Brendshme Italiane. Javën e kaluar u vunë në funksion qendrat në Shëngjin dhe Gjiëder, ku do të akomodojnë emigrantët e transferuar.

Bazuar në protokollin e nënshkruar nga kryeministrja Giorgia Meloni me homologun e saj shqiptar Edi Rama, azilkërkuesit do të marrin një përgjigje brenda katër javësh. Nëse përgjigja është pozitive, ata do të transferohen në qendrat e pritjes në Itali.

Përndryshe do të kthehen në vendin e tyre të origjinës. Një procedurë, krahasuar me ato të parashikuara deri më sot, u përshpejtua ndjeshëm. 

Komisioni i kryesuar nga Prefektura e Romës do të shqyrtojë kërkesat, intervistat do të zhvillohen me video-lidhje ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë.

Gjithsesi, i gjithë “operacioni Albania”, sipas mediave italiane, shoqërohet me dyshime, si ekonomike, ashtu edhe juridike.

Sjellja dhe mbajtja e emigrantëve në dy bazat në Shëngjin dhe Gjadër ka një kosto dukshëm më të lartë se zbarkimi i tyre në Itali.

Një vendim i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë vë në pikëpyetje edhe listën e 22 vendeve që Italia i konsideron “të sigurta”: për të marrë këtë status, asnjë kategori qytetarësh nuk duhet të jetë në shënjestër të diskriminimit dhe trajtimit çnjerëzor. 

Një kërkesë që pak nga 22 vendet e përmbushin. Dyshimi i fundit: deri më sot, shqyrtimi i kërkesave për azil, ka zgjatur më shumë se katër javë.

Me skadimin e këtij afati, emigrantët rrezikojnë të kthehen në Itali, pasi nuk mund të lihen të lirë në territorin shqiptar. 

Vendet që konsiderohen të sigurta janë këto: Shqipëria, Algjeria, Bangladeshi, Bosnjë-Hercegovina, Kameruni, Kepi i Gjelbër, Kolumbia, Bregu i Fildishtë, Egjipti, Gambia, Gjeorgjia, Gana, Kosova, Maqedonia e Veriut, Maroku, Mali i Zi, Nigeria, Peruja, Senegali, Serbia, Sri Lanka, Tunizia.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë