Ngjarje

9 vite për të hapur dyert për besimtarët / Rrugëtimi i gjatë dhe kushtet e Erdogan për Xhaminë e Namazgjasë

Nga Gazeta Si- "Besimtarët do e falin bajramin në xhaminë e madhe"! Është ky premtimi që është dhënë vitet e fundit për besimtarët myslimanë por përsëri, faleshin në Shesh sepse xhamia e Namazgjasë nuk u inaugurua në asnjë vit premtimi!

Xhamia e Namazgjasë inaugurohet sot por rruga e saj deri në këtë ditë ka qenë e gjatë dhe me pengesa të mëdha, ku ndër to vlen të përmenden disa inaugurime dhe kushtet e Turqisë që kanë ndikuar jo pak në shtyrjen e kësaj dite deri më sot.

Historikisht, xhamitë kanë qenë ndërtuar të vogla dhe me kalimin e kohës është parë edhe nevoja për një xhami të madhe në Tiranë. Kështu lindi edhe ideja për të ndërtuar xhaminë e madhe dhe për këtë, u menduan dy troje: Njëri në Pazarin e ri dhe trualli i Namazgjasë.

Namazgjaja përdorej gjatë verës për mbledhjet e qytetarëve dhe faljet e tyre gjatë muajit të Ramazanit dhe Bajramit dhe u vendos që të ndërtohej në truallin e Namazgjasë.

Kështu, më datë 24 dhjetor 1993, ditë e premte, në fushën e Namazgjasë, u zhvillua ceremonia e përurimit të fillimit të punimeve për ndërtimin e xhamisë, një nga shumë ceremoni që pasoj të tjera ndër vite.

Megjithëse guri i themelit u vendos dhe ceremonia u zhvillua, kjo mbeti deri këtu, sepse në shtator të vitit 1994 punimet u pezulluan. Gjatë viteve 1993-1995 bajramet u falen në vendin e Namazgjasë, për t’u falur më pas në sheshin Skënderbej.

Ndër vite, kishte një konflikt të madh midis pronarëve të një pjese të truallit dhe bashkisë e KMSH.

Me ndërrimin e qeverive, në vitin 2013, kemi edhe një ndryshim në vendimin për lejen zhvillimore komplekse të dhënë më parë, ndryshim i cili miraton vetëm ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë që do të ndërtohej me financim të popullit turk.

Në selinë e KMSH u zhvillua një tjetër ceremoni, ajo e dhënies së lejes së ndërtimit, e cila, edhe një herë tjetër, i hapi rrugën fillimit të punimeve për ndërtimin e Xhamisë së Madhe në kryeqytet ku në 2015 u vendos tulla e parë e ndërtimit.

Edhe pse u premtua se xhamia do të inaugurohej brenda 3 vitesh, kjo nuk ndodhi!

Fati i Xhamisë së Namazgjasë duket i lidhur pazgjidhshmërisht me ngjarjet e korrikut të 2016-s në Ankara, ku Erdogan i mbijetoi një grushti shteti për rrëzimin e tij. Presidenti turk fajësoi për grushtin e shtetit klerikun Fetullah Gylen dhe ndjekësit e tij.

Grushti i shtetit dështoi dhe i dha mundësi Erdogan që të niste një fushatë spastrimi të administratës në Turqi nga gylenistët. Mijëra u arrestuan, të tjerë u dënuan me burg e shumë u arratisën për t’i shpëtuar arrestimit.

Pas “sistemimit” të kundërshtarëve brenda Turqisë dhe shpalljes si organizata terroriste të të gjitha organizatave që kishin lidhje me Fetullah Gylen, Erdogan nisi “gjuetinë” për të kapur edhe ata që strehoheshin jashtë vendit dhe në listën e këtyre vendeve ishte edhe Shqipëria.

Në Shqipëri, Turqia kishte identifikuar me qindra “gylenistë”.

“FETO nuk është kërcënim vetëm për Turqinë, por edhe për vendet ku ndodhet. FETO kontrollohet nga shërbimet sekrete të disa vendeve. Ne dëshirojmë kthimin e tyre në Turqi. I kemi shpjeguar vëllezërve tanë shqiptarë për rrezikun që paraqet kjo organizatë. E kemi paralajmëruar edhe kryeministrin Rama, se çfarë kërcënimi paraqet FETO për Shqipërinë”, deklaronte gjatë një vizite në Tiranë, ministri i Jashtëm turk, Davut Cavusoglu, duke kujtuar se Ankaraja është një nga investitorët më të mëdhenj në Shqipëri.

Megjithatë, në shënjestër të Erdogan nuk ishin vetëm gylenistët turq, por edhe të gjithë bashkëpunëtorët e rrjetit të FETO-s në vendet ku ishin shtrirë. E si bashkëpunëtor i FETO-s perceptohej dhe ishte sulmuar në disa media në Turqi dhe Shqipëri edhe ish-kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj.

Bruçaj u largua nga drejtimi pas zgjedhjeve për kryetarin e ri të KMSH-së në mars të 2019-s. Në këto zgjedhje të brendshme të Komunitetit Mysliman kandidonte Bujar Spahiu përballë Ylli Gurrës. Ky i fundit shihej si kandidatura e preferuar nga Turqia.

Zgjedhjet i fitoi Bujar Spahiu, ndërsa Ylli Gurra akuzonte se me këtë zgjedhje, KMSH vijonte të ishte nën kontrollin e gylenistëve.

Këtë mendim e ‘konfirmoi’ edhe Erdogan i cili disa herë, e shmangu inaugurimin e xhamisë, duke përmendur se ‘Shqipëria duhet të marrë masa për gylenistët’.

Kjo ka bërë që të gjendet një e mesme për inaugurimin dhe shmangien e Komunitetit Myslyman Shqiptar.

Xhamia e Namazgjasë ka elementë shqiptarë të një stili klasik ballkanas, ku si frymëzim kryesor ka Xhaminë Blu në Stamboll. Ajo shtrihet në një sipërfaqe prej 6000 m² në vendin e njohur si Namazgjaja e Tiranës, me kupolën e lartë 35 metra dhe katër minaret, lartësia e të cilave shkon në 50 metra. Brenda në xhami mund të falen njëkohësisht rreth 5000 besimtarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë