Menaxhim

Shqipëria, e dyta pas Serbisë me mbrojtjen më të mirë kibernetike në rajon. BB: Infrastrukturë e pazhvilluar

Nga Gazeta 'SI'- Shqipëria është vendi i dytë me mbrojtjen më të fortë kibernetike në rajon, sipas matjeve të Bankës Botërore.

Me një indeks mbrojtje mbi 82 pikë, Shqipëria konsiderohet si një ekonomi me mbrojtje të lartë, pas Serbisë që i afrohet vlerës maksimale, 100 pikë.

I njëjti raport thekson se ekspozimi i Shqipërisë ndaj rrezikut kibernetik është më poshtë normës mediane, 20 nga 70.

Banka Botërore shpjegon se nuk ka ende një matje të pranuar gjerësisht për rrezikun kibernetik, por ajo përfshin marrëdhënien e tre komponentëve përkatës—kërcënimi, siguria ekzistuese dhe dëmi i pritshëm—të cilat së bashku përbëjnë vlerësimin e rrezikut kibernetik, ose një analizë se si përkthehet një nivel më i lartë sigurie me më pak dëm të pritshëm duke pasur parasysh nivelin e kërcënimit.

Ekspozimi nënkupton një mjedis më të madh, ose një sipërfaqe më të madhe sulmi kibernetik, të cilat mund të çojnë në nivele më të larta të dëmit të pritshëm.

Në vendet në zhvillim thekson BB, aty ku bën pjesë edhe Shqipëria, lloji më i përhapur mbrojtjes kibernetike janë masat ligjore. Kapaciteti infrastrukturor është lloji më pak i zhvilluar, me boshllëqe të mëdha në programet e kërkimit dhe zhvillimit, incentivat qeveritare dhe industrinë e kibernetikës.

Sipas Barometrit të Ballkanit 2024, 61% e shqiptarëve janë të shqetësuar për të dhënat e tyre personale në internet. Një vit më parë treguesi ishte 51%, ndërsa vazhdon të jetë më e larta ndër popullsitë e rajonit. 59% e të anketuarve nga Shqipëria janë të shqetësuar për mirëqenien e fëmijëve të tyre gjatë përdorimit të internetit apo Inteligjencës Artificiale, kur një vit më parë ishin 45%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë