Gazeta Si - Dy shtetas shqiptarë janë ekzekutuar me armë zjarri në fundjavë në Itali dhe Spanjë.
Ngjarjet nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, por sipas mediave italiane dhe spanjolle bëhet fjalë për larje hesapesh. Shqiptari i vrarë me Itali, është Beni Arshiaj, 37-vjeç. Ngjarja e rëndë ndodhi në Oratoio, një lagje e Pizës.
I riu u qëllua nga dy persona që lëviznin me motor në një atentat që ndodhi pak metra larg gruas dhe fëmijëve të tij.
“Menduam se ishin fishekzjarrë”, tha një dëshmitar pranë skenës së krimit. Siç shkruajnë mediat, 37-vjeçari po zbriste nga furgoni kur dy autorët ndaluan dhe i drejtuan armën. Të paktën pesë plumba u qëlluan.
Pas kësaj, në vendin e ngjarjes kishte vetëm gjak ndërsa dëgjoheshin britmat e gruas së tij. Larje hesapesh? Policia italiane ka nisur hetimet dhe nuk përjashton asnjë hipotezë.
I riu ishte punonjës në fushën e ndërtimit. Autoritetet kanë sekuestruar celularin e tij dhe pamjet e kamerave të sigurisë pranë vendit të ngjarjes.
Në skenën e krimit u gjetën pesë predha të kalibrit 22. Nga ato vetëm një plumb e ka prekur Arshiajn, duke mos i dhënë mundësi të mbijetonte, pasi humbi jetën në vendin e ngjarjes.
Ndërkohë, policia spanjolle po heton vrasjen e një shqiptari, i cili thuhet se u la pasditen e së shtunës para një spitali në Girona të Spanjës.
Mediat lokale raportojnë se shqiptari, i paidentifikuar, kishte një plagë në kokë dhe ndërroi jetë pasi tre persona me një automjet tip “Audi” të zi e lanë atë para hyrjes së spitalit Blanes.
Hetuesit kanë nisur të analizojnë kamerat e spitalit dhe ato pranë zonës që mund të kenë regjistruar mjetin, i cili sipas disa informacioneve kishte targa të huaja.
Një nga hipotezat që hetuesit po shqyrtojnë është se mund të jetë një ngjarje e lidhur me trafikun e drogës, mes grupeve kriminale.
Trupi i viktimës do të transferohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Girona, ku ekspertët mjeko-ligjorë pritet të kryejnë autopsinë të hënën për të përcaktuar shkaqet e vdekjes dhe për të identifikuar burrin, i cili nuk kishte dokumentacion.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.