Analize

Gjukanoviç merr shumicën e votave në Podgoricë. Pse ky rezultat mund të jetë një kthesë drastike për Malin e Zi?

Nga Gazeta ‘Si’- Fitorja e ish-presidentit të Malit të Zi Milo Gjukanoviç në zgjedhjet që u mbajtën në Podgoricë, po shihet si një provë për pozicionimin politik të vendit.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme që u mbajtën më 29 shtator, Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) në opozitë fitoi më së shumti vota - rreth 30 për qind - dhe 19 mandate.

Pjesa tjetër e opozitës fitoi shtatë mandate.

Pas DPS-së, koalicionet që përbëjnë pushtetin në nivel lokal dhe shtetëror, fituan më shumë mandate - Lëvizja Evropa Tani (PES) dhe Demokratët 14, ndërsa partitë e Frontit Demokratik pro-rus (DF) 13 mandate.

Duke marrë parasysh se Kuvendi i Podgoricës ka 59 vende, për të formuar qeverinë nevojiten 30 mandate. Kjo do të thotë se si Qeveria malazeze, ashtu edhe opozita do të duhet të kërkojnë partnerë koalacioni.

Pas shpalljes së fitores në Podgoricë, DPS-ja opozitare tha se duhen zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, sepse “Qeveria ka rënë”, duke vënë në dukje faktin se partitë që përbëjnë Qeverinë, nuk kanë marrë shumicën në Podgoricë.

Pse rezultatet e tyre mund të jenë një kthesë drastike për Malin e Zi?

Sipas analistëve, zgjedhjet në Podgoricë mund të shkaktojnë një krizë të mëtejshme të qeverisë. Një efekt i mundshëm është që Spajiç, Beçiç dhe Mandiç, pikërisht për shkak se mund të përballen me zgjedhje të parakohshme të pasigurta, mund të lidhen dhe bashkohen edhe më shumë.

Gjithçka do varet nëse Milatoviç dhe Abazoviç do të vendosin për një ndryshim politik dhe çfarë lloji. Analistë të tjerë nuk përjashtojnë mundësinë që Podgorica mund të mos jetë në gjendje të formojë një qeveri brenda afatit, kështu që zgjedhjet do të përsëriten.

Si erdhi Podgorica deri të zgjedhjet?

Këto ishin zgjedhjet e dyta në Podgoricë në dy vitet e fundit.

Zgjedhjet e mëparshme u mbajtën në tetor të vitit 2022, kur qeverisja e DPS-së u zëvendësua pas një çerek shekulli. Pushtetin atëkohë e morën PES-i i kryeministrit Millojko Spajiç, Demokratët, DF-ja dhe URA.

Zgjedhjet e parakohshme, pastaj, u zhvilluan pas një konflikti në shumicën qeverisëse, kryesisht për shkak të një ndarjeje në lëvizjen PES, e cila kishte më shumë këshilltarë në Kuvendin e Podgoricës.

PES u themelua në qershor të vitit 2022 nga Spajiç dhe Millatoviç.

Me largimin e Millatoviçit nga partia, PES-i humbi një numër këshilltarësh në Kuvendin e Podgoricës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë