Bota

Bota dënon sulmin e Iranit me raketa ndaj Izraelit: Armëpushim rajonal

Gazeta Si - Liderët botërorë u bënë thirrje Iranit dhe Izraelit të tërhiqen nga përshkallëzimi i situatës, pasi Teherani lëshoi një sërë raketash ndaj rivalit të tij të kahmotshëm më 1 tetor.

Teherani tha se ky sulm – i cili ndodhi në një kohë kur Izraeli kishte lajmëruar për një ofensivë tokësore kundër Hezbollahut - grupit militant dhe partisë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit – ishte një përgjigje ndaj vrasjeve të liderëve militantë që mbështeten nga Irani.

Kjo ishte hera e dytë që Irani e sulmon drejtpërdrejt Izraelin, pas një sulmi me raketa dhe dronë në prill, si hakmarrje për një sulm ajror vdekjeprurës izraelit në konsullatën iraniane në Damask.

Pas sulmit, Izraeli dhe Irani e kërcënuan njëri-tjetrin, ndërsa liderë të ndryshëm botërore bënë thirrje për armëpushim, mes frikës për një konflikt të zgjeruar në Lindjen e Mesme.

OKB-ja kërkon armëpushim

Pas valës së raketave nga Irani, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, e dënoi “zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme”

“Kjo situatë duhet të ndalojë. Ne patjetër që kemi nevojë për një armëpushim”, tha Guterres.

Ai shprehu shqetësim për përshkallëzimin e tensioneve mes Izraelit dhe Hezbollahut, në një kohë kur konflikti me Hamasin në Gazë po vazhdonte.

Hezbollahu është e shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja, ndërkaq Bashkimi Evropian e ka futur në listë të zezë krahun e tij ushtarak, por jo edhe partinë politike. Partia politike e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez. Ndërsa, grupi palestinezë Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.

SHBA: Sulmi, plotësisht i papranueshëm

Ndërsa sulmi po ndodhte, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, urdhëroi ushtrinë amerikane të “ndihmojë mbrojtjen e Izraelit nga sulmet iraniane dhe të rrëzojë raketat që po synonin Izraelin”, sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e quajti sulmin “totalisht të papranueshëm” dhe tha se ai duhej të dënohej nga e gjithë bota.

“Raportet e para sugjerojnë se Izraeli, me mbështetje aktive nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë, e ka përballuar me sukses këtë sulm”, tha Blinken për gazetarët.

Ndërsa, këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, paralajmëroi për pasoja për Iranin.

BE-ja kërkon armëpushim rajonal

Bashkimi Evropian (BE) dënoi “në terma të fuqishëm” sulmin me raketa balistike iraniane ndaj Izraelit dhe kërkoi një armëpushim të menjëhershëm në të gjithë Lindjen e Mesme.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, shkroi në platformën X: “Cikli i rrezikshëm i sulmeve dhe hakmarrjeve rrezikon të dalë jashtë kontrollit. Një armëpushim i menjëhershëm në të gjithë rajonin është i nevojshëm”.

Spanja bën thirrje për “vetëpërmbajtje”

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, bëri thirrje për një fund të “spiralës së dhunës” që ka përfshirë Lindjen e Mesme, ndërsa ministri i Jashtëm kërkoi “vetëpërmbajtje” nga palët e përfshira.

“Qeveria spanjolle e dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit dhe kërkon që spirala e dhunës të përfundojë”, tha Sanchez në platformën sociale X.

Ndërkohë, Ministri i Jashtëm, Jose Manuel Albares, u shpreh se Madridi po lëshonte “një thirrje të re për të gjithë aktorët, duke përfshirë Izraelin, për të treguar përmbajtje dhe jo përshkallëzim”.

Gjermania: Irani duhet të ndalojë

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, kërkoi që Irani të ndalojë menjëherë sulmin me raketa ndaj Izraelit, duke shkruar në X: “E dënoj sulmin në terma sa më të forta të mundshme”.

“Irani duhet të ndalojë sulmin menjëherë, pasi po e çon rajonin më tej drejt greminës”, shtoi ajo.

Franca: Situata po përkeqësohet në Lindje të Mesme

Kryeministri francez, Michel Barnier, të martën tha se ishte i shqetësuar për përshkallëzimin e situatës.

“Situata po përkeqësohet në Lindjen e Afërt dhe të Mesme, me një përshkallëzim dhe një sulm, dhe duket se një konflikt i drejtpërdrejtë po zhvillohet mes Iranit dhe Izraelit”, i tha Barnier parlamentit, duke e cilësuar situatën “mjaft serioze”.

Britania e Madhe dënon sulmin e Iranit

Kryeministri britanik, Keir Starmer, e dënoi sulmin e Iranit, sipas zyrës së tij, gjatë një bisedë me homologun e tij izraelit, Benjamin Netanyahu.

Starmer gjithashtu “shprehu angazhimin e palëkundur të Britanisë për sigurinë e Izraelit dhe mbrojtjen e civilëve”, sipas një njoftimi nga zyra e Starmerit./REL/


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë