Njerez

Jusuf Vrioni, ‘spiuni francez’ që përktheu Kadarenë

Përkthimi është një hapësirë e pamatur diturie për njerëzimin. Falë përkthyesve, përjetojmë letërsinë, kulturën dhe idetë e popujve nga çdo cep i botës.

Autoriteti për Informim mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit kujtoi në Ditën Ndërkombëtare përkthyesin e mirënjohur, Jusuf Vrioni që i mbijetoi regjimit komunist, përktheu Kadarenë dhe diktatorin, nën peshën e 13 viteve të gjata të burgut, punës së detyruar në tharjen e kënetës së Maliqit dhe survejimit 27-vjeçar.

Jusuf Vrioni lindi më 16 mars 1916, në familjen e mirënjohur beratase të Vrionëve, u arsimua në Paris, pas emërimit të të atit diplomat. Në vitet 1920, Iliaz bej Vrioni u dekorua me Urdhrin e Lartë të Legjionit të Nderit nga shteti francez. I shkolluar për drejtësi në Francë e Itali, intelektual i nivelit të lartë, Jusuf Vrioni u rikthye në Shqipëri në 1943.

Më 13 shtator 1947 u arrestua nga regjimi komunist, me akuzën “për faje penale kundra Popullit dhe Shtetit, si anëtar i organizatës tradhtare Social- Demokrate dhe si agjent i spiunazhit Francez në Tiranë”.

Pas hetuesisë tejet të vështirë më shumë se njëvjeçare, Jusuf Vrioni u dënua nga Gjykata Ushtarake e Tiranës, më 8 korrik 1950, me 15 vjet privim lirie dhe punë të detyrueshme për aktivitet spiunazhi në shërbim të Francës dhe lidhje të ndryshme me të huajt, aktakuzë e ngritur dhe firmosur nga Ministri i Punëve të Brendshme, Mehmet Shehu.

Dënimin e kreu në burgun e Burrelit.

Pas lirimit nga burgu dhe internimit në Fier, në 1960 u emërua përkthyes në Tiranë, në shtëpinë botuese “8 Nëntori”, ku përktheu në gjuhën frënge veprat e Ismail Kadaresë, Enver Hoxhës, libra të regjimit e propagandës…

Jusuf Vrioni u ndoq për 27 vjet me radhë nga Sigurimi i Shtetit, në përpunim 2/A dhe 2/B, që nga 29.2.1964 deri më 28.04.1991, kohë kur dosja u arkivua./ATA/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë