Gazeta Si - Prokurorja Elona Alvora është caktur me short për të ekzekutuar vendimin për dënimin me 1 vit burg për Ervin Salianjin me akuzën e kallëzimit të rremë për çështjen "Babalja".
Në momentin që prokurorja ekzekuton vendimin, ajo do t'i dërgojë shkresën policisë për arrestimin, por njofton njëkohësisht edhe vetë Salianjin, i cili brenda 7 ditësh duhet të vetëdorëzohet tha avokati i tij Ledio Braho.
Nëse Salianji nuk përmbush këtë detyrim ligjor, atëherë është policia e Tiranës ajo që ekzekuton vendimin e prokurores.
Prej 2021-shit, Salianji mban mandatin si deputet, çka i jep edhe imunitet, por ligji parashikon që mandati mbaron ose është i pavlefshëm kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
Të enjten, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm la në fuqi vendimin e 18 dhjetorit 2019 të Gjykatës së Tiranës, e cila shpallte fajtor Salianjin për "kallëzim të rremë" lidhur me audio-përgjimin e dosjes Babale dhe e kishte dënuar me 1 vit burg.
Vetë Salianji e konsideroi vendimin si politik e njëkohësisht dekoratë në karrierën e tij. Vendimin që i heq jo vetëm lirinë, por edhe mandatin e deputetit, Salianji tha se do të kryente dënimin dhe se nuk do ta ndalonte së bëri opozitë as në qeli.
Vendimi ka ngjallur reagime të shumta tek opozita. Partia Demokratike mbrëmjen e djeshme mblodhi kryesinë për vijimin e aksionit opozitar pas dënimit të Salianjit.
Në takimin ku ishte i pranishëm edhe vetë Salianji, kryetari i selisë blu, Sali Berisha, i cili ndodhet në "arrest shtëpie", e cilësoi vendimin “një luftë të hapur dhe hakmarrje primitive që Rama i ka shpallur PD-së”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.