Gjykata Kushtetuese ka caktuar datën 19 nëntor për të shqyrtuar padinë e ish-kryeministrit Sali Berisha
Një javë më parë, Gjykata Kushtetuese vendosi të kalojë për shqyrtim në seancën plenare ankimin e bërë nga ish-kryeministri, Sali Berisha, kundër masës së parë të sigurisë të caktuar ndaj tij, atë të “detyrimit për paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit” të caktuar nga GJKKO më 20 tetor 2023.
Në ankimin e drejtuar Kushtetueses ish-kryeministri kërkon shfuqizimin e vendimit të dhënë nga Shkalla e Parë e Gjykatës së Posaçme në tetor 2023, por edhe ata të Apelit dhe Gjykatës së Lartë, që e lanë në fuqi masën.
Në thelbin e kërkesës së ish-kryeministrit është fakti se gjykatat kanë shkelur Kushtetutën duke caktuar një masë sigurie shtrënguese ndaj tij, pa marrë më parë autorizim nga Kuvendi i Republikës, për shkak të statusit të tij të deputetit.
Aktualisht ish-kryeministri Sali Berisha është me masë sigurie “Arrest në shtëpi” që prej dhjetorit 2023, pasi refuzoi të zbatonte detyrimin e paraqitjes.
Së fundmi, ai është marrë i pandehur nga SPAK për akuzën e “korrupsionit të funksionarëve të lartë shtetërorë”, ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi për “korrupsion” dhe “pastrim të parave”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.