Analize

Financial Times: Prigozhin përdori bankat JPMorgan dhe HSBC për pagesat e Wagner

Bankat JPMorgan Chase dhe HSBC, pa dashur kanë përpunuar pagesa për disa kompani afrikane, që kontrolloheshin nga i ndjeri Yevgeny Prigozhin, kryekomandanti rus i grupit Wagner.

Disa dokumente të publikuara nga Qendra për Studime të Avancuara të Mbrojtjes, bazuar në Uashington, tregojnë se në vitin 2017, një kompani sudaneze e kontrolluar nga Prigozhin bleu disa pajisje industriale në Kinë dhe pagesat kaluan nëpërmjet bankave gjigande të perëndimit.

Wagner, që Thesari Amerikan e ka akuzuar për ekzekutime masive, përdhunim, rrëmbim fëmijësh dhe brutalitete të tjera kundrejt personave të pafajshëm në Afrikë, u bë edhe më i famshmë pasi i ofroi shërbime mercenare Rusisë diktatore në pushtimin e Ukrainës.

Dokumentat e zbuluara tregojnë se si Prigozhin, që u vra vitin e shkuar pasi tentoi një rebelim kundër Putin, që dështoi, kishte krijuar një perandori ndërkombëtare kriminale me burime natyrore duke krijuar akses dhe në sistemet financiare perëndimore.

Një dokument tregon se në gusht të 2017-s, një kompani minierash në Sudan, Meroe Gold, i dërgoi një pagesë një shitësi në Kinë, nëpërmjet JPMorgan Chase. Një tjetër tregonte një pagesë të Meroe Gold nga banka Hang Seng Bank, pjesë e bankës HSBC Group.

Nuk ka prova se këto banka ishin në dijeni se po trajtonin transaksionet e grupit Wagner.

Meroe Gold nuk ishte nën sanksionet e SHBA në kohën e pagesave, por Prigozhin ishte që nga viti 2016. Meroe në vitin 2018 më vonë u vu nën sanksionet e SHBA për shkak se ishte "në pronësi ose kontrolluar nga Prigozhin" dhe duke e ndihmuar atë "të shfrytëzonte burimet natyrore të Sudanit për përfitime personale. “.

HSBC nuk pranoi të komentonte mbi transaksionet specifike në Sudan, por banka tha se ishte "thellësisht e përkushtuar për të luftuar krimin financiar dhe për integritetin e sistemit financiar global".

“Ne kemi investuar në mënyrë të konsiderueshme në ndërtimin dhe ruajtjen e një kuadri efektiv kontrolli për të zbuluar dhe zbutur këtë rrezik,” thanë përfaqësues të bankës.

JPMorgan tha: "Pas një rishikimi të detajeve të kufizuara të ndara me ne, ne nuk kemi gjetur asnjë regjistrim që përputhet me ato transaksione."

Qendra e Studimeve, e cila ka publikuar një raport mbi dokumentet e zbuluara, tha se transaksionet treguan se Prigozhin dhe Wagner nuk do të kishin qenë në gjendje të vendosnin një terren në Afrikë pa përfituar nga sistemi financiar legjitim.

Rritja e Wagner në vende të tilla si Sudani dhe Republika e Afrikës Qendrore ishte funksioni i "një lidhjeje midis sistemeve të ligjshme dhe të paligjshme", tha C4ADS.

“Për të lehtësuar shfrytëzimin e hershëm të burimeve natyrore, organizata e sanksionuar ndërkombëtarisht u mbështet në një rrjet shërbimesh financiare dhe rrjete transporti për të lëvizur furnizimet dhe për të gjeneruar të ardhura,” shtoi ai.

Pas vdekjes së Prigozhin në gusht 2023, operacionet që ai ndërtoi në Afrikë u përthithën nga entitete nën kontrollin e drejtpërdrejtë të ministrisë ruse të mbrojtjes./FinancialTimes


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë