Gazeta Si- Apeli i Posaçëm ka rrëzuar kërkesën e ish-zëvendësministrit të Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj për t'u gjykuar në një masë më të butë sigurie për aferën e "Sterilizimit", duke lënë të pandryshuar vendimin e shkallës së parë.
Përmes avokatit të tij, Rrjepaj kërkoi revokim ose masë më të butë sigurie se "arrest në burg", kërkesë e cila u rrëzua nga gjyqtari Florjan Kalaja.
Klodian Rrjepaj u arrestua në datë 17 gusht të vitit 2023 me urdhër të SPAK, për llogari të hetimeve që nisi kjo strukturë për "Sterilizimin".
Pak ditë më parë, ish-zv.ministri i Shëndetësisë, la burgun dhe me pranga në duar u soll për të dëshmuar në Komisionin Hetimor Parlamentar të Shëndetësisë për koncesionin e sterilizimit me lejen e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Rrjepaj foli në Komisionin Hetimor edhe për një udhëtim në Itali me ministrin e Shëndetësisë së asaj kohe, Ilir Beqaj, ku kanë nisur një bashkëpunim me Universitetin e Peruxhias.
Nga dosja e SPAK, duket se miqësia e Beqajt, Rrapajt dhe Rrjepajt ka vazhduar të paktën deri në vitin 2018, pra 5 vite më pas, e provuar kjo nga udhëtimet e përbashkëta jashtë vendit.
Ai mohoi të ketë abuzuar me detyrën, duke shtuar se ndaj tij është montuar një akuzë për një vepër penale që nuk e ka kryer.
Me interes pritet të jetë dëshmia më 3 tetor, e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në hetim nga SPAK për koncensionin e sterilizimit, por njëkohësisht me masë "arresti me burg" për një tjetër hetim ndaj tij, atë të abuzimit me fondet e BE kur drejtonte agjencinë SASPAC.
Rrjepaj dyshohet se ka kryer veprat penale "Falsifikim i dokumenteve" dhe "Shpërdorimi i detyrës". Bashkë me të u arrestua edhe biznesmeni Ilir Rrapaj, i cili akuzohet për "Mashtrim".
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.