Drejtësia

Apeli vendos më 26 shtator për çështjen ‘Babale’, Salianji në gjykatë me deputetët demokratë: Denoncimet e mia janë provuar

Gazeta Si - Pas nje seance maratone, te premten ne gjykaten e Apelit u dhanë konkluzionet përfundimtare lidhur me dosjen e njohur si "Babale" ku deputeti i PD-se, Ervin Salianji akuzohet për "kallëzim të rremë'. 

Në konkluzionet përfundimtare Salianji dhe avokatët kundërshtojnë dënimin me 1 vit burg dhënë nga Gjykata e Tiranës në dhjetor të vitit 2019. Ndersa Prokurori  i Apelit Arben Qosja  kërkoi të ngelet në fuqi vendimin e shkallës së parë

Trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Genti Shala, Elona Toro Iliba Bezati për shkak të dosjes voluminoze do ta shpallë vendimin në 26 shtator ora 13:00.

Deputeti Ervin Salianji, i shoqëruar nga kolegë të Partisë Demokratike, u paraqit këtë të premte në ambientet e Gjykatës së Apelit, ku ankimoi vendimin e 2019 të Shkallës së Parë që e dënoi atë me një vit burg për çështjen “Babale”.

Avokatët Ledio Braho dhe Redi Ramaj, kërkuan prishjen e vendimit të Shkallës së Parë ndaj Salianjit dhe deklarimin e pafajshëm të tij.

Kurse deputeti Ervin Salianji, në fjalën e tij mbrojtëse pretendoi se "nuk kishte bërë kallëzim të rremë" dhe se gjithnjë ka bërë denoncime ndaj njerëzve të pushtetit, duke vënë në dukje se po ashtu "gjithnjë i kam fituar gjyqet". Ai pretendoi pafajësi dhe se dënimi ka qenë me prapavijë politike.

Në fjalën e tij ai ka përmendur emrat e zyrtarëve të denoncuar, nga Vangjush Dako, Arben Ndoka, Artur Bushi, etj.

Mbrojtja në gjyq

Gjatë seancës në Apel, Salianji ka thënë se denoncimet e tij janë provuar, teksa ka shtuar: "Geron Xhafaj ishte i dënuar në Itali për drogë dhe ishte i lirë në Shqipëri dhe kishte vëllain ministër të Brendshëm. Ne nxorëm dokumentin dhe e denoncuam, por s’pati asnjë reagim. Pasi ai lëvizi i lirë për 8 vite pas denoncimit, u vetëdorëzua në Romë për të vuajtur dënimin. E çuan qëllimisht në Itali, Agron apo Geron Xhafajn që të mos merrej zëri original i tij. Zëri i tij u dorëzua me një USB nga avokati".

Më tej, Salianji është shprehur se janë përdorur prokurorët dhe gjykatësit e çështjes: "Me Fredi Alizotin dhe Albert Veliun (Babalja) nuk kam asnjë njohje. Të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët që janë përfshirë janë të gjithë të shkarkuar. I përdorën, i morën i hodhën. Gjyqtarët që janë marrë me çështjen janë të dy të shkarkuar".

Gjatë fjalës së tij në gjykatë, Salianji ka deklaruar se nuk ka asnjë njohje me Fredi Alizotin dhe Albert Veliun (Babalja).

"Përkojnë qelizat telefonike për të tre. Si ka mundësi që qelizat pulsojnë te lokali i Geron Xhafës? Apo edhe këtë e manipuluam neve? Më akuzojnë që kam dhënë para, 200 mijë Euro. Sms e parë ishte nga Olldashi, del nga tabulatet e përgjimit, që del qartë se hetimi është bërë nga gazetari Olldashi".

Salianji ka theksuar se denoncimin do ta bëjë prapë pasi detyra e tij është të mbrojë interesin publik. Një interes, për të cilin thotë se u mbrojt në momentin që Geron Xhafaj u arrestua.

"Denoncimin do ta bëj prapë se këtë punë kam, për të mbrojtur interesin publik. Dhe ky interes u mbrojt në momentin që ai (Geron Xhafaj) shkoi në burg. Pas regjistrimit i kam takuar në selinë e PD-së. Albert Veliu – Babalja e telefonoi Geron Xhafën në praninë time me një numër që ishte në dosje. Kishin marrëdhënie miqesore. Sa doli denoncimi, policia shkoi dhe mori djalin dhe gruan e Babales për t’i bërë presion".

Sipas Salianjit, ky proces është i montuar për interes të Partisë Socialiste.

"Po sjell fakte sesi ky është një proces i montuar për interesa të partisë në pushtet. Geron Xhafa zërin e vet e përgënjeshtron me shkrim, nëse nuk ishte ai dilte me zë e figurë. Nuk del njeriu të përgënjeshtrojë veten, por del me shkrim. Domethënë, ky zërin e vet e përgënjshtron me shkrim, edhe duhet të dënohem unë".

Dënimi dhe akuzat

Deputeti i selisë blu u shpall fajtor nga shkalla e parë me 1 vit burg për kallëzim të rremë në lidhje me çështjen “Babale”. Në apel çështja është dërguar dhe nga gazetari Jetmir Olldashi, i cili në shkallën e parë u dënua me 6 muaj burg të konvertuar në 100 orë shërbim komuniteti.

Në mbështetje të Salianjit ndodhen të pranishëm që prej mëngjesit të kësaj të premteje, deputetët e opozitës: Ferdinad Xhaferi, Emilja Koliqi, Saimir Korreshi, Elda Hoti, Agron Gjekmarkaj, Lefter Gështenja, Bledian Nallbati, Dhurata Çupi, Luan Baçi, Gazment Bardhi, Luçiano Boçi, Ludovik Hasani, Kastrioti Piroli, Dashnor Sula dhe Asllan Dogjani.

Deputeti demokrat u shpall fajtor nga shkalla e parë me 1 vit burg për kallëzim të rremë në lidhje me çështjen “Babale”.

Në apel çështja është dërguar dhe nga gazetari Jetmir Olldashi, i cili në shkallën e parë u dënua me 6 muaj burg të konvertuar  në 100 orë shërbim komuniteti.

Një vit burg për Ervin Salianjin, i akuzuar për kallëzim të rremë. Albert Veliu, i njohur ndryshe si “Babalja” është dënuar me 3 vite e 5 muaj burg për veprat penale “kalim i paligjshëm kufiri” dhe “kallëzim i rremë”.

Ndërsa Fredi Alizoti u dënua me 2 vite burg, ndërsa gazetari Jetmir Olldashi me 6 muaj burg që iu zëvendësua me 100 orë pune.

Sipas prokurorëve, të katër të akuzuarit, për qëllime politike kanë krijuar një provë të rreme përmes një audio-përgjimi se Geron Xhafaj, vëllai e ish-Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka kryer vepër penale të trafikimit të lëndëve narkotike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë