Drejtësia

I mori 1 mijë euro ryshfet 68-vjeçares që ndërtoi një strehë, ‘arrest shtëpie’ për oficeren e Policisë Gjyqësore

Gazeta Si - Një oficere e Policisë Gjyqësore, pranë Prokurorisë së Elbasanit, u vu në "arrest shtëpie" me urdhër të SPAK, me akuzën “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

Gjithçka nisi pasi rasti u denoncua në një emision investigativ. Oficerja, e identifikuar si A.D., është filmuar teksa i kërkon dhe i merr shtetases H. Ll., shumën prej 1000 euro, si shpërblim për të pushuar çështjen penale në ngarkim të djalit të saj, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.

Sipas SPAK-ut, “nga kryerja e veprimeve të para hetimore rezultoi se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetësja A. D., me detyrë Oficere e Policisë Gjyqësore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, ka konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”

Hetimet për këtë procedim penal vazhdojnë me administrimin e provave të tjera për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë